Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë më 4 shtator se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t'i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Macron dhe Scholz në një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thanë se në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet.
"Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale", thuhet në letër.
Macron dhe Scholz u kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat, siç u tha në letër, çojnë drejt përparimit të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja.
"Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik", thuhet në letër.
"Propozimi ynë është, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Mirosllav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt", thuhet në letrën dërguar Kurtit dhe Vuçiqit.
Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.
Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.
Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.
Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.
Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.