Ndërlidhjet

Çmimi i lartë i rrymës rrezikon bizneset


Abedin Murati i cili udhëheq një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve thotë se nuk arrin ta paguajë faturën e energjisë elektrike, rrjedhimisht heziton të marrë porosi për konservimin e specave gjatë vjeshtës.
Abedin Murati i cili udhëheq një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve thotë se nuk arrin ta paguajë faturën e energjisë elektrike, rrjedhimisht heziton të marrë porosi për konservimin e specave gjatë vjeshtës.

Abedin Murati, i cili udhëheq një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, thotë se fatura për rrymën e shpenzuar në korrik i ka ardhur shumëfish më e shtrenjtë se në korrik të vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar, në muajin korrik, kemi harxhuar 323 mijë kilovatë dhe kemi paguar rreth 20 mijë euro. Këtë vit [në korrik] kemi harxhuar shumë më pak rrymë - 136 mijë kilovatë - dhe fatura është 91 mijë euro”, thotë Murati për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fitimet e fabrikës nuk arrijnë vlerën e faturës brenda një muaji dhe kjo, shton ai, ka bërë që të hezitojë të marrë porosi për konservimin e specave gjatë vjeshtës.

Murati tani ndodhet para vendimit të vështirë: ose të punojë me humbje, ose ta mbyllë fabrikën.

“Nëse mua më vjen prapë fatura 90 mijë euro, atëherë nuk do të jem në gjendje të bëj pagesën e saj dhe do të detyrohem ta mbyll fabrikën. Qeverisë nuk i intereson fare biznesi, ndërkohë që merret me populizëm. Subvencionon familjet me të ardhura të ulëta, ndërkohë që s’i intereson fare sektori privat. Unë kam rreth 100 të punësuar të rregullt dhe 70 punëtorë sezonalë”, thotë Murati.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thonë se sektorin e biznesit e pret një situatë e vështirë, pasi faturat e rrymës janë duke u bërë problem i patejkalueshëm për të.

Javën e kaluar, Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendje krize në sektorin e energjetikës, që do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori dhe do të zgjasë 30 ditë.

Vendimi është marrë pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në berzat ndërkombëtare, si dhe me qëllim të kursimit të rrymës për stinën e dimrit.

Nga 1 korriku, në Maqedoninë e Veriut është shtrenjtuar energjia elektrike dhe është vendosur sistemi i të ashtuquajturave bllok-tarifa.

Varësisht nga konsumi, faturat e rrymës janë shtrenjtuar nga 5.5 për qind deri në 138.7 për qind.

Kriza energjetike ka përfshirë, në fakt, gjithë rajonin e Evropës. Ka nisur fillimisht si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj edhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Në Maqedoninë e Veriut, afaristët kërkojnë nga autoritetet subvencionim të një pjese të faturave për rrymë, heqje të TVSH-së për energjinë elektrike, si dhe reduktim të procedurave administrative për instalimin e paneleve diellore, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e veta.

“Çmimet e tilla të energjisë elektrike, asnjë çmim i produkteve nuk mund t’i tejkalojë. Kështu që ne, si ekonomi, përfundimisht do të jemi jofitimprurës”, thotë Trajan Angelloski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike në Maqedoninë e Veriut.

Duke iu referuar të dhënave nga Regjistri Qendror, kjo organizatë bën të ditur se në vitin 2021, 6.995 persona juridikë e kanë mbyllur veprimtarinë e tyre, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, veprimtarinë e tyre e kanë ndërprerë 5.324 persona juridikë. Kjo, sipas afaristëve, tregon se kriza me energjinë elektrike e bën të papërballueshëm funksionimin e shumë bizneseve.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut thonë se po shqyrtojnë mundësitë për t’i ndihmuar bizneset, por ndaj kërkesave të tyre nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret.

Nga viti i kaluar është ulur TVSH-ja [Tatimi mbi Vlerën e Shtuar] për amvisëritë dhe kompanitë e vogla - nga 18 në 5 për qind - por këtu nuk përfshihen kompanitë e mesme dhe ato të mëdha.

Afaristi Abedin Murati thotë se duhen ndarë subvencione nga arka e shtetit për kompanitë e mesme, ashtu siç veprojnë, sipas tij, shumë vende evropiane.

“Ja, Greqia, javën e kaluar, vendosi që t’i subvencionojë kompanitë me 300 euro për çdo megavat të konsumuar - mjete këto të dedikuara për t’i mbajtur në kondicion kompanitë”, thotë Murati.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, disa herë, ka bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike.

Nga 1 shtatori pritet të hyjnë në fuqi edhe masat e Qeverisë për kursim, të cilat i obligojnë institucionet e shtetit që t'i ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 për qind, ndërsa qytetarëve dhe kompanive private u rekomandohet që ta kursejnë rrymën sa më shumë që është e mundur.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG