Ndërlidhjet

Klerikët në mes zjarrit në luftën e intensifikuar të talibanëve me IS-K


Luftëtarët talibanë festojnë ditën e tyre të fitores pranë Ambasadës së SHBA-së në Kabul, 15 gusht 2022.
Luftëtarët talibanë festojnë ditën e tyre të fitores pranë Ambasadës së SHBA-së në Kabul, 15 gusht 2022.

Derisa talibanët intensifikojnë luftën e tyre kundër Shtetit Islamik-Khorasan (IS-K), klerikët fetarë të lidhur me grupet militante rivale janë gjendur mes zjarrit.

Militantët e IS-K janë fajësuar për vrasjen e disa klerikëve pro-talibanë në Afganistan gjatë javëve të fundit. Talibanët, gjithashtu, janë akuzuar për vrasjen e figurave fetare me lidhje të dyshuara me IS-K.

Shumë luftëtarë të IS-K janë anëtarë të komunitetit të vogël salafist të Afganistanit, një sekt ultraradikal nën Islamin Sunit. Shumica e luftëtarëve talibanë janë ndjekës të shkollës hanefite të islamit, një konfesion rival sunit. Salafistët, të njohur edhe si vehabistë, i shohin degët e tjera të besimit si heretike.

Që nga marrja e pushtetit në gusht të vitit 2021, talibanët kanë ndërmarrë një goditje brutale ndaj salafistëve, të cilët besohet se janë disa qindra mijëra dhe janë të përqendruar kryesisht në provincat lindore Nangarhar, Kunar dhe Nuristan.

Një vit nga kthimi i talibanëve: Rënia e Kabulit në sytë e figurave kryesore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:03 0:00

Salafistët akuzojnë talibanët për arrestimin dhe vrasjen e anëtarëve të komunitetit dhe bastisjen dhe mbylljen e xhamive. Shtypja e talibanëve ka përkuar me intensifikimin e luftës së tyre me militantët e IS-K.

Vëzhguesit thonë se numri në rritje i vrasjeve të klerikëve rivalë hanefi dhe salafistë është bërë kohët e fundit tipari kryesor i luftës së përshkallëzuar të talibanëve me militantët e IS-K.

"Në muajt e ardhshëm, ne mund të shohim më shumë vrasje të figurave fetare, të pretenduara nga IS-K ose të papretenduara", tha Riccardo Valle, bashkëthemelues i Ditarit Khorasan, një platformë në internet që gjurmon grupet militante në Afganistan dhe Pakistan. "Grupi dëshiron të terrorizojë armiqtë e tij dhe të nxisë përleshje".

Seria e vrasjeve

Më 17 gusht, një shpërthim në një xhami në Kabul vrau klerikun e shquar hanefi Mullah Amir Mohammad Kabuli. Të paktën 20 besimtarë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm. Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për sulmin, megjithëse vëzhguesit thanë se ai kishte shenjat dalluese të sulmeve të ngjashme të kryera në të kaluarën nga IS-K.

Sulmi pasoi vrasjen e 11 gushtit të Rahimullah Haqqanit, një klerik i shquar hanefi dhe ideolog taliban. IS-K mori përgjegjësinë për sulmin me bombë në seminarin fetar të Haqqanit në Kabul që vrau gjithashtu vëllain, djalin dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të klerikut. Haqqani ishte i njohur për diskutimet e forta fetare me dijetarët fetarë selefistë.

Në një deklaratë më 21 gusht, IS-K kërcënoi se do të kryente edhe më shumë sulme ndaj klerikëve që "shpifën" kundër grupit militant.

Muajin e kaluar, një klerik i lartë salafist, i cili ishte zotuar për besnikëri ndaj talibanëve, u vra në mënyrë misterioze në shtëpinë e tij në Kabul. Sardar Wali Saqib u vra me thikë vetëm disa ditë pasi mori pjesë në një tubim të klerikëve pro-talibanë. Talibanët fajësuan IS-K për vrasjen, edhe pse të tjerët fajësuan figurat anti-salafiste brenda radhëve të talibanëve.

Në nëntor, u vra një ideolog jo shumë i njohur i IS-K, Abu Mustafa Darveshzadeh. Ai kishte shkruar një libër shumë kritik për qasjen e talibanëve ndaj zbatimit të ligjit islamik të Sheriatit.

Në shtator, një nga klerikët më të shquar salafistë të Afganistanit, Abu Obaidullah Mutawakil, u rrëmbye në Kabul. Kufoma e tij e gjymtuar dhe e djegur u gjet disa ditë më vonë. Ai ishte burgosur më parë për lidhje të dyshuara me IS-K. Por, mbështetësit e tij mohojnë se ai kishte ndonjë lidhje me grupin. Talibanët mohuan se kishin vrarë Mutawakilin dhe u zotuan të hetojnë vdekjen e tij.

"Rezistenca ndaj talibanëve"

Klerikët nuk kanë qenë të vetmit anëtarë të komunitetit salafist që janë vënë në shënjestër. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se civilë që nuk kanë lidhje me IS-K dyshohet se janë arrestuar, torturuar ose vrarë nga talibanët.

Në një raport të korrikut, Human Rights Watch tha se banorët e Kunarit dhe Nangarharit kishin zbuluar rreth 100 kufoma në lumenj dhe kanale. Shumë prej tyre ishin salafistë dhe anëtarë të dyshuar të IS-K, të cilët ishin arrestuar nga talibanët.

"Salafistët mendojnë se nëse nuk arrijnë të bashkohen për të bërë rezistencë kundër talibanëve, grupi do të vazhdojë të vrasë dijetarët e tij fetarë njërin pas tjetrit", tha Qari Eisa Mohammadi, një klerik afgan në mërgim.

Andrew Mines, një studiues në Universitetin Xhorxh Uashington, thotë se dhuna e talibanëve e bën "shumë më të lehtë për IS-K të mobilizojë mbështetësit e mundshëm për të vepruar".

Vëzhguesit thonë se talibanët e shohin IS-K si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sundimin dhe legjitimitetin e tij, duke i bërë kështu ata të merren pamëshirshëm me IS-K dhe salafistët në përgjithësi.

"Talibanët duan të heshtin çdo zë kundërshtar dhe të dekurajojnë të tjerët që t'i ndjekin hapat e njëjtë", tha Mines.

Që prej shfaqjes për herë të parë në Pakistanin fqinj në fillim të viteve 1990, talibanët janë bërë aleat me Al-Kaidan, një rrjet terrorist salafist, dhe kanë bërë për vete grupe më të vogla salafiste.

Por talebanët e kanë kundërshtuar IS-K që nga dalja në vitin 2015, kur shpërthyen luftërat në terren midis dy grupeve. Sulmet me dron të SHBA-së dhe forcat speciale afgane shënjestruan gjithashtu bastionet e IS-K në Afganistanin lindor.

Që nga pushtimi i Afganistanit nga talibanët, ka pasur rritje të numrit të sulmeve të IS-K kundër talibanëve.

Ekspertët thonë se grupi ekstremist është përforcuar nga prania e zvogëluar e SHBA-së kundër terrorizmit në Afganistan dhe lirimi i paqëllimshëm i qindra të burgosurve të IS-K nga burgjet e talibanëve gjatë spastrimit të vendit verën e kaluar.

Vëzhguesit parashikojnë një luftë të përgjakshme dhe të zgjatur midis talibanëve dhe IS-K.

"Kjo luftë nuk është e lehtë për t'u frenuar", thotë Sami Yousafzai, një gazetar dhe komentator veteran afgan që ka gjurmuar talibanët që nga shfaqja e tyre në vitet 1990.

“Të dyja palët kanë vizionin e tyre sektar, të cilin duan t'ia imponojnë tjetrës”.

Përgatiti: Erjonë Popova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG