Ndërlidhjet

Prokuroria Publike në Shkup hedh poshtë raportin për skemën e pastrimit të parave


Ndërtesa e Prokurorisë Publike të Shkupit. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Prokurorisë Publike të Shkupit. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria Publike në Shkup nuk do të merret me pretendimet e një kompanie të huaj se në Maqedoninë e Veriut për më shumë se dy dekada ka funksionuar një skemë e pastrimit të parave përmes kredive fiktive.

Dyshimet janë hedhur nga Trifun Kostovski, aksionari kryesor i bankës së falimentuar “Eurostandard” nga Shkupi, i cili ka pranuar përfshirjen pa dijeninë e tij edhe të bankës së tij në këtë aferë.

Nga kjo skemë është thënë se janë dëmtuar 149 klientë të bankës “Eurostandard” me rreth 50 milionë euro.

Kostovski kishte angazhuar një ekip hetuesish të huaj, të udhëhequr nga Drago Kos, president i grupit të punës të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për korrupsionin në bizneset ndërkombëtare dhe ish-president i GRECO-s.

Hetimi ka përfshirë bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut si dhe 45 kompani, por edhe Kiraca Trajkovska si person fizik.

Megjithatë, Prokuroria Publike e Shkupit nuk ka pranuar raportin e hetuesve të huaj, duke theksuar se përgjegjës për hetimet të tilla është Prokuroria dhe jo kompani private.

Veç kësaj, Prokuroria e Shkupit në materialin e hetuesve të huaj ka konstatuar lëshime dhe pretendime të pabazuara.

“Në bazë të dokumentacionit voluminoz të siguruar dhe provave verbale të mbledhura, ekzaminimeve të viktimave dhe dëshmitarëve, e veçanërisht në bazë të ekspertizës ekonomike dhe financiare, çeqeve në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut dhe në Autoritetin e Inteligjencës Financiare, prokurorët publikë konstatuan se pretendimet nuk përmbajnë elemente të veprave penale të raportuara dhe as elemente të krimeve të tjera për ndjekje penale”, u tha në reagimin e Prokurorisë Publike të Shkupit.

“Nga provat e siguruara dhe nga ekspertiza rezulton se personat fizikë të paraqitur, nuk e kanë shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe as nuk i kanë tejkaluar kufijtë e autoritetit zyrtar, me qëllimin përfundimtar të dëmtimit të personave juridikë”, u shtua në reagim.

Sipas raportit të hetuesve të huaj, pastrimi i parave përmes sistemit fiktiv të kamatave kishte nisur më 2004.

“Si bëhej kjo? Banka A [ndonjëherë dy ose më shumë banka merrnin pjesë në të njëjtën skemë] i ka dhënë një kredi një kompanie prej gjysmë milioni eurosh. Po atë ditë, ajo kredi i ka shkuar Bankës B, e cila po atë ditë i ka dhënë një kredi prej gjysmë milioni euro të njëjtës kompani, e cila i është kthyer Bankës A të nesërmen. Ndaj po ju pyes nëse mendoni se është e mundur pa bashkëpunim të përbashkët dhe dokumente të përgatitura paraprakisht, që dy banka të kanalizojnë gjysmë milioni euro përmes së njëjtës kompani? Përgjigja është e qartë, nuk mundet”, deklaroi të hënën, Drago Kos, që udhëhoqi ekipin që kreu hetimin.

Sipas raportit, bankat në këtë mënyrë kanë përfituar nga rritja artificiale e kredive, komisionet e paguara, kamatat dhe kosto të tjera, ndërsa kompanitë që kanë luajtur rolin e transmetuesve të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme, pra konvertimin e kredive në kredi për shkak të fushëveprimit të jashtëzakonshëm të skemës që nuk lejonte mundësinë e ushtrimit të kontrollit, zakonisht pësonin humbje të mëdha.

Shuma që ato kanë fituara vlerësohen në miliona euro, por një shifër e saktë nuk është dhënë.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar edhe Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar si “të pasakta dhe të parëndësishme” gjetjet e hetimit ndërkombëtar.

“Sjellje të tilla të papërgjegjshme, të motivuara nga interesa personale dhe motive private, mund të sjellin trazira dhe të shkaktojnë dëme të panevojshme dhe të pabaza në institucionet financiare në vend, e me këtë edhe te subjektet ekonomike dhe qytetarët”, tha Banka Popullore.

Banka Popullore shtoi se punon sipas standardeve evropiane dhe se kryen mbikëqyrje të rregullt të punës së bankave si dhe ndërmerr masat e duhura në kuadër të kompetencave të saj për ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG