Associated Press
Katari ka arrestuar së fundi 60 punëtorë të huaj, të cilët kanë protestuar se nuk kanë marrë paga me muaj, ka thënë një grup për të drejta të punëtorëve.
Disa prej tyre janë dëbuar nga shteti.
Ky lajm vjen vetëm tre muaj para se Doha të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror të Futbollit, FIFA 2022.
Katari është përballur edhe në të kaluarën me kritika ndërkombëtare për praktikat e tij në punë.
Sikur edhe vendet tjera të Gjirit Arab, Katari varet shumë nga punëtorët e huaj.
Protesta e punëtorëve një javë më parë – dhe reagimi i Katarit për të – mund ta vështirësojë edhe më shumë situatën.
Udhëheqësi i organizatës që ka hetuar incidentin, ka thënë se ndalimet zgjojnë dyshime të reja rreth zotimeve të Katarit për të përmirësuar trajtimin e punëtorëve.
“A është duke u shpërfaqur realiteti?” ka pyetur Mustafa Qadri, udhëheqës ekzekutiv i organizatës që mbron punëtorët, Equidem Research.
Në një deklarim për agjencinë e lajmeve, Associated Press më 21 gusht, Qeveria e Katarit e ka pranuar se “një numër i protestuesve janë ndaluar për shkelje të ligjeve për siguri publike”.
Qeveria nuk ka dhënë informacione për arrestimet apo dëbimet.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale janë shfaqur rreth 60 punëtorë të zemëruar për pagat e tyre, andaj edhe kanë protestuar më 14 gusht jashtë zyrave të kompanisë, Al Bandary, konglomerat që përfshin ndërtim, shitblerje të pronave, hotele, ushqim dhe shërbime tjera.
Disa prej protestuesve nuk kanë marrë paga tash e shtatë muaj, ka thënë Equidem.
Kompania Al Bandary, e cila është e regjistruar si biznes privat, nuk është përgjigjur ndaj kërkesave për informacion.
Qeveria në Katar e ka pranuar se kompania nuk i ka paguar borxhet dhe se Ministria e Punës do të paguajë “të gjitha pagat dhe përfitimet” për personat e prekur.
“Kompania veçse ka qenë duke u hetuar nga autoritetet për mospagesë të pagave, edhe para incidentit, dhe tani janë marrë veprime tjera për të caktuar afat kohor për pagat që nuk janë finalizuar”, ka thënë Qeveria.
Qadri ka thënë se policia ka arrestuar protestuesit dhe i ka mbajtur në një qendër ndalimi.
Ai ka thënë se në këtë qendër ka qenë shumë nxehtë dhe nuk ka pasur kondicioner.
Temperaturat në Doha këto ditë arrijnë në rreth 41 gradë Celsius.
Sipas Qadrit, disa policë u kanë thënë personave të ndaluar se ata do të mund të protestonin në mot të ftohtë, dhe ashtu do të mund të bënin gjumin më mirë, pa kondicioner.
Një punëtor i ndaluar, i cili e ka telefonuar organizatën Equidem nga qendra e ndalimit, ka thënë të ketë parë rreth 300 kolegë të tij nga Bangladeshi, Egjipti, India, Nepali dhe Filipinet.
Ai ka thënë se disave u janë dhënë pagat pas protestës, të tjerëve jo.
Katari - sikurse disa vende të Gjirit Arab - ka dënuar në të kaluarën punëtorët e huaj që kanë protestuar dhe e ka lidhur lejeqëndrimin me punësim.
E drejta për të formuar sindikata vazhdon të përcillet me shumë procedura dhe u përket vetëm shtetasve të Katarit, ashtu sikurse e drejta e kufizuar për t’u organizuar, ka thënë grupi me bazë në Uashington, Freedom House.
Katari, një shtet i vogël, por shumë i pasur me energji në Gadishullin Arab, është shtëpi e rrjetit televiziv, Al Jazeera.
Megjithatë, mundësitë për t’u shprehur janë shumë të kufizuara.
Vitin e kaluar, Katari ka ndaluar, dhe më vonë ka dëbuar, një roje të sigurisë me shtetësi të Kenia-s, i cili ka folur publikisht për problemet e fuqisë punëtore në këtë shtet.
Prej vitit 2010, kur FIFA ka bërë të ditur se turneu i këtij viti mbahet në Katar, ky shtet ka marrë disa hapa për përmirësuar praktikat e punësimit në këtë shtet.
Aty përfshihet eliminimi i sistemit të punësimit të ashtuquajtur kafala, i cili lidh punëtorët me punëdhënësit, ashtu që këta të fundit të mund të vendosin nëse një punëtor mund të gjejë punë tjera brenda Katarit.
Katari po ashtu ka miratuar vendimin për pagë mesatare prej 275 dollarëve amerikanë për punëtorët, si dhe ndihma të nevojshme për ushqim dhe strehim.
Aktivistët, sikurse Qadri, i kanë bërë thirrje Katarit të bëjë më shumë, sidomos për të siguruar që punëtorët marrin pagat me kohë dhe janë të mbrojtur nga punëtorët abuzues.
“A jemi mashtruar të gjithë nga Katari në vitet e fundit?” ka pyetur Qadri, duke sugjeruar që reformat mund të kenë qenë “mbulesë” për autoritetet që lejojnë praktika jo të duhura në punë.
Përndryshe, Kampionati për Kupën e Botës nis këtë nëntor.