Ndërlidhjet

SHBA, thirrje Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun


Ned Price
Ned Price

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun, pasi takimi mes palëve në Bruksel më 18 gusht përfundoi pa rezultat, raporton Zëri i Amerikës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën.

“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha Price.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Uashingtoni e përkrah në tërësi dialogun dhe tha se është me rëndësi që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit se ato duhet të “çojnë përpara diskutimin për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellë”.

Price tha se zyrtari i Departmentit të Shtetit, Gabriel Escobar, krahas ambasadorit të SHBA-së në BE, Mark Gitenstein, janë duke i vëzhguar diskutimet nga afër në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe shtoi se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, është i angazhuar personalisht.

“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshin gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, tha Price.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk pranoi të përgjigjej nëse Shtëpia e Bardhë i ka dorëzuar një mesazh të enjten Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, por ai tha se “ne jemi të kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani”.

“Ne do të mbesim të përfshirë drejtpërdrejtë me të dyja palët, me homologët tanë në Kosovë dhe Serbi si dhe përmes vëzhgimit të bisedimeve që po ndërmjetësohen nga BE-ja”.

Ndonëse kanë biseduar për disa orë, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin "takime të zakonshme", por "takime për menaxhimin e krizës".

Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG