Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota për dhe një kundër.
Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Tash e tutje qeveria e Abazoviqit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim.
Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviq u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi.
Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviq tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje
Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj.
“Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviqit dhe Millo Gjukanoviqit”, ka shkruar ai në rrjetin Telegram pas rrëzimit.
Abazoviq ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.
“Sonte votohet iniciativa e DPS-së, e cila tha se kur ta rrëzojnë Qeverinë do ta anulojë Marrëveshjen Themelore. Nëse sonte e rrëzoni qeverinë, mos na thirrni më për negociata. Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviq.
Abazoviq kryeministër për 115 ditë
Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.
Dritan Abazoviq ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte "pika e kthesës" për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.
Çka tash?
Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.
Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.
Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t'i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t'i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.
Debati në parlament
Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.
“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviq.
Abazoviq iu kundërpërgjigj Zhivkoviqit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviq.
Abazoviq akuzon kundërshtarët politikë se kanë lidhje me krimin
Abazoviq ka shkaktuar një mori reagimesh pasi gjatë seancës ka akuzuar Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit Millo Gjukanoviq, ish-prokurorët dhe disa kompani e media se janë të lidhura me krimin.
Sipas tij, një rast i konfiskimit të cigareve në Portin e Tivarit, është i lidhur me kompaninë Bemax të Malit të Zi.
Sipas tij, Bemax, një nga kompanitë më të mëdha ndërtimore, e ka themeluar një portal që e lidh jodrejtpërdrejt Abazoviqin me klanet kriminale në Malin e Zi.
Kryeministri Abazoviq ka ftuar prokurorin që të verifikojë pretendimet e tij.
Ai ka akuzuar zyrtarët nga partitë që duan të rrëzojnë Qeverinë, se po synojnë ta destabilizojnë Malin e Zi.
Ai e ka konsideruar deputetin, Predrag Boshkoviq të DPS-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Rashko Konjeviq nga Partia Socialdemokrate (SDP), si “ekzekutorë politikë të destabilizimit të Malit të Zi”.
Boshkoviq i ka konsideruar deklaratat e Abazovbiqit si të pavërteta, dhe ka thënë se ato “nuk janë dëgjuar në politikë në 30 vjetët e fundit”.
Sipas tij, deklaratat e Abazoviqit shënjestrojnë kundërshtarët politikë.
Në shtator votohet shkarkimi i kryetares së Kuventit të Malit të Zi
Më 2 shtator, Kuvendi i Malit të Zi do të vendosë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.
Kjo iniciativë është e Frontit Demokratik dhe Demokratëve opozitarë.
Në iniciativë thuhet se “kryesimi i Gjuroviqit është shënuar me shkelje të vazhdueshme të akteve që rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Malit të Zi”.