Ndërlidhjet

Zelensky bisedon me Guterres për “shantazhin bërthamor” të Rusisë


Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të ofrojnë siguri për centralin bërthamor të Zaporizhjas. Kjo pasi është rritur frika për shkak të luftimeve në zonën përreth centralit dhe trupave ruse që gjenden në centralin në juglindje të Ukrainës.

Gjatë bisedimeve me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonoi Guterres, më 18 gusht në qytetin Lviv të Ukrainës, Zelensky po ashtu diskutoi edhe për çështjen e eksporteve të drithërave ukrainase nga portet në Detin e Zi.

Së fundmi eksportet janë rikthyer pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja hapi rrugën për anijet që të transportojnë drithëra nga Ukraina.

“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shantazhit bërthamor që bën Rusia në centralin bërthamor të Zaporizhjas. Ky terror i qëllimshëm nga agresori mund të ketë pasoja katastrofale për mbarë botën. Prandaj, OKB-ja duhet të garantojë siguri për këtë ndërtesë strategjike, për çmilitarizimin e saj dhe për çlirimin e plotë nga trupat ruse”, shkroi Zelensky në Telegram pas këtij takimi.

Guterres dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me rrezikun e një katastrofe në centralin bërthamor të Zaporizhjas, pas raportimeve për grantime gjatë javës së kaluar.

Centrali bërthamor i Zaporizhjas është më i madhi në Evropë.

OKB-ja ka ofruar ndihmë për të lehtësuar një vizitë të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Zaporizhja, por Moska ka hedhur poshtë idenë që misioni të udhëtojë nga Kievi për në central, pavarësisht se është zotuar se do të bëjë gjithçka që të lejonte qasjen e zyrtarëve të agjencisë në Zaporizhja.

Nga Ministria e Jashtme ruse e kanë cilësuar të “papranueshëm” planin për çmilitarizimin e centralit, duke thënë se një plan i tillë do ta bënte centralin edhe më të cenueshëm ndaj sulmeve.

Rusia nuk e mohon se trupat e saj gjenden brenda centralit të Zaporizhjas, por hedh poshtë akuzat se kryen granatime në këtë zonë. Moska akuzon trupat ukrainase për granatime në zonën përreth centralit, pretendime që hidhen poshtë nga Kievi.

Në bisedimet në Lviv të Ukrainës, ka marrë pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan ka kërkuar që të marrë rolin e ndërmjetësuesit në konflikt dhe Ankaraja ka qenë një faktor i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes për zhbllokimin e eksporteve të drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore ukrainase.

Anija e parë me drithëra është larguar nga portet ukrainase më 1 gusht dhe që atëherë, 25 anije me dërgesa kanë arritur të transportojnë drithëra.

Rusia dhe Ukraina janë dy prej eksportueseve më të mëdha në botë të drithërave. Ndalja e eksporteve nga këto dy shteteve çoi në rritjen e çmimeve në botë dhe rriti frikën e mungesës së ushqimeve, veçmas për shtetet e varfëra.

“Ne u pajtuam që të vazhdojmë koordinimin për zbatimin e nismës për drithërat”, shkroi Zelensky në Telegram.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres pritet që më 19 gusht të vizitojë porte ukrainase në Detin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG