Ndërlidhjet

Ministria e Ekonomisë: Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike


Obiliq, Kosovë. Fotografi nga arkivi.
Obiliq, Kosovë. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur në pasditen e së hënës se qytetarët e Kosovës do të furnizohen me energji elektrike pa ndërprerje.

Përmes një postimi në Facebook, ministria ka thënë se reduktimet e paralajmëruara janë evituar pas bashkëpunimit me Shqipërinë.

Ministria po ashtu ka paralajmëruar edhe bashkëpunime tjera "për të adresuar krizën energjetike".

Furnizimin e rregullt me rrymë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.

Në orët e vonë të së dielës, Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS), ka njoftuar se qytetarët e Kosovës do të përballeshin me reduktime nga 15 gushti.

Reduktimet, sipas KEDS-it, do të nisnin nga ora 08:00 sipas organizimit: gjashtë orë me rrymë dhe dy pa të.

KEDS-i e ka arsyetuar këtë vendim me çmimet e larta për blerje të rrymës në tregjet ndërkombëtare.

Më 9 gusht KEDS-i ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të shtrenjtojë tarifat e rrymës.

Muajin e kaluar, KEDS po ashtu ka paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt” për shkak të krizës energjetike që ka prekur Evropën.

Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave.

Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojnë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG