Ndërlidhjet

Tajvani: Stërvitjet ushtarake të Kinës duket se po simulojnë sulm


Pamje gjatë stërvitjeve ushtarake në Tajvan. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pamje gjatë stërvitjeve ushtarake në Tajvan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Tajvani ka thënë se Kina është duke kryer stërvitje ushtarake të cilat duket se po simulojnë një sulm në këtë ishull që vetëqeveriset.

Këto veprime të Pekinit po shihen si përgjigje ndaj vizitës që ka kryer në Tajvan udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi.

Vetë Pekini e ka quajtur vizitën e zyrtares amerikane si provokim.

Ministria për Mbrojtje Kombëtare ka thënë më 6 gusht se forcat e armatosura të Tajvanit kanë lëshuar një alarm dhe kanë dërguar patrulla ajrore dhe detare rreth ishullit, si dhe kanë aktivizuar sistemin raketor tokësor, si përgjigje ndaj manovrave kineze.

Sipas ministrisë, 20 aeroplanë kinezë dhe 14 anije kanë vazhduar të kryejnë stërvitje në det dhe ajër rreth Ngushticës së Tajvanit më 6 gusht.

Ky institucion ka thënë po ashtu se veprimet e Pekinit “kanë dëmtuar seriozisht paqen”, duke shtuar se ushtria e Tajvanit nuk synon luftë, mirëpo është e përgatitur dhe do të përgjigjet nëse është e nevojshme.

Ministria e Mbrojtjes në Kinë ka thënë se ka kryer stërvitje ushtarake – siç i ka planifikuar – në det dhe hapësirat ajrore ne veri, jugperëndim dhe lindje të Tajvanit, “për të testuar kapacitetet” e sistemeve të saj për sulme tokësore dhe detare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dënuar stërvitjet ushtarake kineze afër Tajvanit, duke i konsideruar si “përshkallëzim të konsiderueshëm” dhe ka thënë se “nuk ka arsye” për veprime të tilla.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

  • Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur, qoftë edhe me forcë.
  • Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
  • Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG