Ndërlidhjet

Kurti dhe Vuçiq pranojnë ftesën e Borrellit për takim më 18 gusht


Fotografi e realizuar gjatë një rundi të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Fotografi e realizuar gjatë një rundi të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve, konfirmoi për mediat zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano.

Ai shtoi se më vonë do të japin detaje të tjera për agjendën e takimit të 18 gushtit.

Më 1 gusht, Borrell kishte njoftuar për ftesën për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kjo ftesë erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kishin të bënin me dokumentet dhe targat serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e këtyre dy vendimeve.

Në ftesën e Borrellit u tha se në takim do të bisedohej për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Takimi i 18 gushtit do të jetë i treti midis Kurtit dhe Vuçiqit. Ata në kuadër të dialogut janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë të mbahej më 19 korrik, por sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, takimi u shty me kërkesën e Vuçiqit.

“Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston", ka deklaruar Kurti gjaët një konference për media në Prishtinë më 1 gusht.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë më pas konfirmoi se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për dialog, por shtoi se nuk pret asgjë nga ky takim.

“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuçiq.

Dialogu në Bruksel ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosova insiston se një marrëveshje finale do të duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia argumenton se dëshiron një zgjidhje kompromisi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG