Ndërlidhjet

Basketbollistja amerikane dënohet me 9 vjet burgim


Basketbollistja amerikane, Brittney Griner.
Basketbollistja amerikane, Brittney Griner.

Një gjykatë ruse e shpalli fajtore basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge. Gjykata tha se ajo “qëllimisht” kishte sjell në Rusi vaj kanabisi.

Kampionia e dyfishtë olimpike u dënua me nëntë vjet burgim.

Sipas ligjeve ruse, dënimi maksimal për akuzat që rëndojnë ndaj Griner është dhjetë vjet burgim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një deklaratë menjëherë pas shpalljes së dënimit, duke thënë se ky rast "është një përkujtues i radhës atë që bota tashmë e di: Rusia pa të drejtë po e mbanë Brittneyn".

"Kjo është e papranueshme dhe i bëj thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë atë, në mënyrë që ajo të bashkohet me gruan e saj, familjarët dhe miqtë", u tha në deklaratë.

Ndërkaq, gjatë adresimit final para një gjykate ruse më herët gjatë 4 gushtit, kampionia e dyfishtë olimpike tha se ajo nuk kishte dashur që ta shkelte ligjin dhe se prindërit e kishin mësuar që të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

Avokati i basketbollistes ka kërkuar nga gjykata një dënim më të butë.

“Unë nuk kam planifikuar që ta kryej këtë krim”, tha Griner.

Pas shpalljes së vendimit, CNN raportoi se avokati i Griner do ta apelojë vendimin.

“Nuk kam dashur që ta lëndoj askënd, të vë në rrezik popullatë ruse, të shkel ligjet”, tha basketbollistja, duke shtuar se shpreson që politika nuk do të ketë rol në vendimin e gjykatës.

Griner gjendet në paraburgim në Rusi qëkur autoritetet i gjetën vaj të kanabisit në valixhen e saj, teksa ajo po kalonte përmes aeroportit Sheremetyevo të Moskës në shkurt.

Kanabisi është ilegal në Rusi dhe ndalohet përdorimi edhe për çështje mjekësore, por edhe për rekreacion.

Rasti i basketbollistes ka përkeqësuar raportet midis SHBA-së dhe Rusisë dhe presidenti amerikan, Joe Biden, është vënë nën presion që të reagojë për rastin e saj, por edhe për rastin e ish-marinsit amerikan, Paul Whealan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 29 korrik bisedoi në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për mundësinë e këmbimit të të burgosurve, përfshirë Griner dhe rusin Viktor Bout.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG