Ndërlidhjet

Stoltenberg përsërit se NATO është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë


Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin se misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë nëse “rrezikohet stabiliteti”.

Këto deklarata ai i bëri më 3 gusht gjatë një bisede me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi lidhur me tensionet e fundit në veriun e Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë. Misioni i NATO-s, KFOR, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, tha Stoltenberg përmes një postimi në Twitter.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën më 1 gusht dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Lëshimi i dokumenteve parashihet në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 2011 në kuadër të dialogut. Që atëherë, Serbia lëshon dokumente të tilla për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, po ashtu është shtyrë zbatimi i vendimit që ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Ndërkaq, Presidenca serbe tha se Vuçiq e ka informuar Stoltenbergun lidhur me “aktivitetet e Prishtinës që rritën frikën dhe shkaktuan trazira në mesin e qytetarëve serbë”. Në njoftim nuk u tha se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë.

“Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, u tha në njoftim.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk e ka shkelur as Marrëveshjen e Brukselit dhe as Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Stoltenberg më 2 gusht kishte zhvilluar një bisedë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës u tha se Kurti e ka informuar shefin e NATO-s për vendimet e marra, por edhe ka ngritur shqetësimin për fushatë dezinformuese lidhur me këto vendime.

“Kryeministri Kurti e informoi sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, u tha në njoftim.

Ndryshe, më 31 korrik, në ditën kur u vendosën barrikadat në veri, NATO kishte paralajmëruar se ishte e përgatitur që të ndërhynte në Kosovë nëse tensionet do të rrezikonin stabilitetin në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG