Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita përplasen për mbajtjen e referendumit


Protesta në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kundër miratimit të propozimit francez. 14 korrik 2022.
Protesta në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kundër miratimit të propozimit francez. 14 korrik 2022.

Opozita maqedonase, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por edhe presidentin Stevo Pendarovski, se përmes formave të ndryshme po përpiqen që të pamundësojnë mbajtjen e një referendumi kundër marrëveshjes me Bullgarinë.

Protokolli me Sofjen është nënshkruar pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik, që i hapi rrugës heqjes së vetos bullgare dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësimin me Bashkimin Evropian.

Por, kjo marrëveshje që parasheh zgjidhjen e të gjitha kontesteve përgjatë procesit integrues, sikurse përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, aspektet historike dhe çështje tjera, kundërshtohet nga VMRO-DPMNE-ja, e cila ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi për refuzimin e saj.

Por, Qeveria maqedonase ka thënë se referendumi është i panevojshëm pasi me marrëveshjen e arritur, “garantohet gjuha maqedonase, identitetit dhe e kaluara historike e popullit maqedonas”.

“Referendumi është pasqyra e paaftësisë së kësaj qeverie. Do të nxjerrë në shesh gënjeshtrat e saj, moralin e saj të ulët andaj edhe duke ikur nga referendumi tenton t’i mohojë popullit të drejtën e deklarimit për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre, mbrojtjen e identitetit, të gjuhës dhe të veçorive tjera kombëtare. Ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë zgjidhje katastrofale po pranojnë. Po pranojnë marrëveshje që rrënon identitetin tonë, andaj të gjithë ne duhet të angazhohemi që të mbajmë referendumin dhe ta hedhim poshtë këtë marrëveshje të dëmshme”, ka deklaruar kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski.

Ai ka rikujtuar qëndrimin edhe sa i përket ndryshimeve kushtetuese, të cilat, siç ka thënë se nuk do të mbështeten nga asnjë deputet i partisë së tij.

Ndryshimet kushtetuese, sipas dispozitave ligjore, nuk mund të miratohen pa dy të tretat e votave në Kuvend apo pa votat e 80 deputetëve nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Shumica parlamentare përbëhet nga 63 deputetë, por kryeministri Dimitar Kovaçevski shpreson se do të sigurojë votat e nevojshme për të kaluar ndryshimet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE.

“Populli duhet të jetë i qetë dhe të mos brengoset, sepse pavarësisht se çfarë mendon të bëjë kjo qeveri, VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e tjera me të cilat jemi në koalicion, do të bëjnë gjithçka që të pengojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Nën këto kushte nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, me asnjë çmim”, ka deklaruar Mickoski në një manifestim të partisë së tij.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, fillimisht kishte deklaruar se referendum mund të ketë dhe se qytetarët duhet të përgjigjen në pyetjen se “A jeni për integrimin evropian nën këto kushte?”, pa përmendur në pyetjen e referendumin, as propozimin francez e as protokollin me Bullgarinë.

Por, në paraqitjen e fundit para mediave, Pendarovski ka deklaruar se mbajtja e një referendumi është e panevojshme pasi marrëveshja që ka arritur shteti me Bullgarinë, sipas tij, është e njohur ndërkombëtarisht dhe nuk rrezikon çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“[Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan] Mickoski ka nevojë për mobilizim politik, që t’i mbajë të bashkuar të gjithë anëtarët e tij, duke iu premtuar se është çështje ditësh rrëzimi i kësaj qeverie... Kjo është e drejtë legjitime si parti opozitare, duke u thënë se edhe Pendarovski mendon njëjtë", deklaroi Pendarovski.

"Jo, unë mendoj se VMRO-DPMNE-ja dhe partitë tjera duhet të definojnë qartë qëndrimin e tyre dhe të dalin ta thonë se a janë parti politike anti-evropiane. Sikur të ketë referendum, sikur të ketë nevojë për mbajtjen e tij, atëherë qytetarët duhet të përgjigjen në një pyetje të vetme: ‘A dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian’”, shtoi ai.

Referendum në Maqedoninë e Veriut mund të mbahet nëse partia që e kërkon mbajtjen e tij apo ndonjë subjekt tjerë arrin të mbledhë fillimisht 150 mijë nënshkrime, të cilat duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse. Këto nënshkrime po ashtu përcaktojnë edhe atë nëse referendumi do të jetë i karakterit këshillues apo i obligueshëm.

Referendumi mund të cilësohet i suksesshëm nëse në të marrin pjesë mbi 50 për qind e trupit votues dhe nëse shumica e votuesve i japin mbështetje pyetjes së referendumit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG