Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në përgjigje të vizitës në Tajvan së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, tha mbrëmjen e 2 gushtit Ministria kineze e Mbrojtjes.
Në një njoftim të ndarë, Komanda Lindore e Ushtrisë Popullore të Kinës, tha se do të mbajë operacione të përbashkëta ushtarake afër Tajvanit të martën mbrëma.
Stërvitjet ushtarake do të përfshijnë stërvitje ajrore dhe detare në veri dhe juglindje të Tajvanit.
Ministria kineze e Mbrojtjes nuk dha detaje se çfarë do të përfshijnë operacionet e shënjestruara ushtarake, ose nëse ishin të ndara nga stërvitjet e paralajmëruara nga Komanda Lindore.
Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, raportoi se ushtria kineze do të mbajë stërvitje pesëditore përreth Tajvanit nga 4 deri më 7 gusht.
Pelosi me të mbërritur në Tajvan tha se solidariteti i SHBA-së me popullin tajvanez është më i rëndësishëm se kurrë më parë.
Vizita e saj ka rritur tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit, teksa Kina ka thënë se vizita e Pelosit “cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.
Po ashtu, më 2 gusht, autoritetet e mbrojtjes në Tajvan, njoftuan se 21 avionë luftarakë kinezë kanë fluturuar mbi Tajvan.