Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë: Pelosi ka të drejtë ta vizitojë Tajvanin


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi. Uashington, 20 korrik 2022.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi. Uashington, 20 korrik 2022.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi ka të drejtë ta vizitojë Tajvanin, tha Shtëpia e Bardhë më 1 gusht pasi ajo u nis për në Azi dhe bëri ndalesën e saj të parë në Singapor.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve gjatë një konference, se asgjë në lidhje me vizitën e mundshme të Pelosit në Tajvan nuk e ndryshon politikën e SHBA-së.

Pelosi u nis për në Azi më 31 korrik, por mbeti e paqartë nëse ajo do të ndiqte planet e saj për të ndaluar në Tajvan, një vizitë e mundshme që Pekini ka paralajmëruar se do të shihej si një provokim.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Kirby tha se Kina ka përdorur retorikë të papërgjegjshme rreth vizitë së mundshme të Pelosit në Tajvan.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe lideri kinez, Xi Jinping më 28 korrik diskutuan tensionet mbi Tajvanin në një telefonatë që zgjati më shumë se dy orë.

Në deklaratë thuhet se Bideni nënvizoi se politika e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin nuk ka ndryshuar, duke shtuar se SHBA-të "kundërshtojnë fuqishëm përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit".

Sipas Pekinit, në këtë bisedë, Xi ka theksuar pretendimin e Kinës mbi ishullin, i cili ka pasur një qeveri demokratike për dekada.

"Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij", thuhej githashtu në njoftim.

Pelosi do të bëhet ligjvënësja me pozitën me të lartë në SHBA që viziton këtë ishull, pas paraardhësit të saj, Neët Gingrich, që ka vepruar njëjtë 25 vjet më parë.

Pas mbërritjes në Singapor, Pelosi u takua me kryeministrin Lee Hsien Loong, presidentin Halimah Yacob dhe anëtarë të tjerë të kabinetit, tha Ministria e Jashtme.

Njoftimi tha se Pelosi dhe Lee diskutuan mundësitë për të thelluar angazhimin ekonomik të SHBA-së përmes iniciativave si Korniza Ekonomike Indo-Paqësore; luftën në Ukrainë; tensionet mes Tajvanit dhe Kinës, si dhe ndryshimet klimatike.

Lee "theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme SHBA-Kinë për paqen dhe sigurinë rajonale", thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme, pas raportimeve se Pelosi mund ta vizitojë Tajvanin.

Përse do Pelosi ta vizitojë Tajvanin?

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres - dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong - çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan. “Është e rëndësishme për ne që të tregojmë mbështetje për Tajvanin”, ka thënë Pelosi javën e kaluar.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka sfiduar kërcënimet e Pekinit dhe administrata e saj ka mbështetur vlerat thelbësore demokratike, përfshirë miratimin e martesave të çifteve me gjini të njëjtë dhe një rrjet të fortë të sigurimeve sociale.

Pse do të shkaktonte vizita rritje tensionesh?

Kina e konsideron Tajvanin si territor të sajin. Ajo thotë se ai do të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme. Përforcimi i saj ushtarak, viteve të fundit, është orientuar në masë të madhe drejt një misioni të tillë.

Pekini i kundërshton të gjitha kontaktet zyrtare midis Taipeit dhe Uashingtonit dhe kërcënon vazhdimisht me hakmarrje.

Këtë herë, rreziqet duken më të mëdha.

Kina ka nisur stërvitje ushtarake dhe ka hedhur raketa në ujërat afër Tajvanit, në përgjigje të një vizite në SHBA të presidentit të Tajvanit, Lee Teng-hui, më 1995. Por, aftësitë e saj nga ajo kohë kanë avancuar me të madhe.

Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që Kina të përdorë forcë për të penguar uljen e aeroplanit të Qeverisë amerikane në Taipei, por reagimi i saj mbetet i paparashikueshëm.

Stërvitjet kërcënuese ushtarake dhe inkursionet e anijeve dhe avionëve konsiderohen si skenarë të mundshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG