Kanalet ruse dhe ato pro-ruse në platformën Telegram, të cilat deri së fundi kanë qenë të fokusuara në luftën në Ukrainë dhe arsyetimin e pushtimit nga ana e Rusisë, shpejt i kanë kthyer sytë kah veriu i Kosovës.
Situata në veri të Kosovës ka nisur të normalizohet më 1 gusht, pas largimit të barrikadave që kanë vendosur serbët lokalë më 31 korrik në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë - Jarinjë dhe Bërnjak.
Bllokadat janë vënë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – të datës 29 qershor – për zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet e Serbisë nga data 1 gusht.
Pas rritjes së tensioneve, Qeveria ka shtyrë për një muaj datën për zbatim të vendimeve.
Shpërndarje e organizuar e dezinformatave
Konsistenca e një rrjeti të organizuar është vërtetuar më 31 korrik, pas orës 19:00, kur kanalet që transmetojnë në gjuhën ruse dhe atë serbe, kanë publikuar njoftimin e njëjtë me një dallim prej disa minutash.
Informacioni ka qenë për plagosjen e parë të supozuar të një serbi në një bllokadë në rrugë që çon drejt vendkalimit në Jarinjë.
Edhe djathtisti rus, Vladislav Pozdnyakov, themelues i organizatës radikale “Burrat e shtetit”, e ka bërë këtë postim.
Në postimet tjera të tij, ai mbështet hapur pushtimin rus në Ukrainë.
Në këtë platformë ai ka më shumë se 116 mijë ndjekës.
Drejtori i Qendrës shëndetësore në Mitrovicën Veriore, Zllatan Elek, ka konfirmuar për mediat lokale të dielën se asnjë person i plagosur nuk ka shkuar në këtë institucion prej nisjes së bllokadës më 31 korrik.
Policia e Kosovës ka raportuar për të shtëna me armë zjarri – disa në drejtim të njësiteve policore – por që nuk ka pasur të plagosur.
Kanalet ruse kanë publikuar edhe një fotografi ku shihen çizme dhe një pjesë uniforme e një personi të paidentifikuar me deklaratat se ushtria serbe është në gatishmëri për të luftuar në pikëkalimin mes Serbisë dhe Kosovës.
Ushtria Serbe, që nga viti 2001, ka të drejtë të patrullojë zonën e sigurisë tokësore, e cila mbulon një zonë pesë kilometra të gjerë përgjatë kufirit me Kosovën. Megjithatë, që nga tërheqja nga Kosova në qershor të vitit 1999, ushtria dhe policia serbe nuk mund të kalojnë në territorin e Kosovës.
Për shkak të dezinformatave që janë përhapur për ushtrinë serbe, Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar më 31 korrik, duke thënë në faqen e saj zyrtare se “ushtria serbe nuk ka kaluar në territorin e Kosovës në asnjë mënyrë”.
Rreth gjysmë ore më vonë, llogaria “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, e cila poston në gjuhën serbe dhe ka rreth 61 mijë ndjekës, ka publikuar informacion nga një kanal simotër për raportimet jozyrtare të transferimit të aeroplanëve serbë në zonat rreth Kosovës.
Kjo llogari poston në baza ditore informacione për pushtimin e Ukrainës.
Disa minuta më vonë edhe kanali "Serbski Vestnik" (Lajmëtari serb) dhe disa kanale në gjuhën ruse "Velika Rusia" and "Orlovi" e kanë bërë të njëjtën gjë në gjuhët respektive.
Ky informacion nuk është publikuar në kanalet zyrtare dhe as nuk është konfirmuar nga askush.
Pak më vonë, llogaria “Rosich", e cila është pjesë e njësitit rus, Wagner, që po lufton në lindje të Ukrainës – u është bashkuar llogarive tjera duke shpërndarë informacione për Kosovën.
Në postimin e saj është thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaron se ushtria e Kosovës synon të sulmojë veriun e Kosovës në mesnatë.
Ajo se çfarë ka thënë Vuçiq në konferencë për media është se zbatimi i vendimeve të autoriteteve të Kosovës për riregjistrim të makinave dhe për dokumentet serbe, do të nisë së zbatuari në mesnatë.
“Shqiptarët kanë dërguar dy njësite dhe 21 tonë të naftës në pikëkalimet administrative dhe dëshirojnë t'i ndalin ata që kanë dokumente serbe të identifikimit. E gjithë kjo duhet të ndodhë sonte në mesnatë, derisa të njëjtën kohë do të binden serbët që të heqin dorë nga targat e makinave KM”, ka thënë Vuçiq më 31 korrik.
Kanali “Rusia e Madhe” në Telegram, ka publikuar të njëjtat supozime me disa minuta dallim, ashtu sikurse Vladislav Pozdnjakov.
Rrjet i ekstremizmit dhe dezinformatave
Ky lloj rrjeti për përhapje të dezinformatave është duke u ndërtuar tash e një kohë, ka thënë Predrag Petroviq, udhëheqës i organizatës joqeveritare, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, kjo është mënyra si operojnë disa grupe ekstremiste që janë të lidhura me njëra-tjetrën.
“Qëllimi kryesor është që të krijohet përshtypja se kanë shumë ndjekës. Kjo është edhe rrugë për të arritur audienca sa më të mëdha që është e mundur”, ka thënë Petroviq.
Ai ka paralajmëruar se një mënyrë e tillë komunikimi është “goxha efektive”, sidomos për njerëzit që janë në kërkim të alternativave ndaj politikave ditore.
“Ata ofrojnë këtë alternativë mbi pozicione të së djathtës ekstreme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të përmendet se ata tentojnë të përdorin këto kanale për të publikuar informacione që japin përshtypjen e vërtetësisë – që janë nga terreni dhe të dorës së parë. Këtë gjë audienca e kap shpejt dhe më pas përhapet nga kanalet tjera”, ka thënë Petroviq.
Analistët rusë
Analisti rus, Leonid Savin, ndihmës i afërt i Alexander Duginit, ish-këshilltar i presidentit rus, Vladimir Putin, është deklaruar po ashtu për krizën në veri të Kosovës.
Në kanalin e tij në Telegram “Kybernet", ai e ka shpërndarë tekstin e organizatës së krahut të djathtë "Katehon", e cila është në pronësi të biznesmenit rus, Konstantin Malofeev.
Në tekst përmendet që Serbia shpreson në ndihmën e Rusisë për zgjidhje të çështjes së Kosovës.
“Pasi rendi njëpolar po shkatërrohet si pasojë e nisjes së operacionit special ushtarak në Ukrainë, serbët besojnë se pas një kohe, ndryshimet gjeopolitike do të vërehen edhe në Ballkan, ku Moska do të mund të shfrytëzojë forcën ushtarake për t’ia rikthyer integritetin territorial Serbisë. Ky nuk është qëndrimi zyrtar i autoriteteve, mirëpo aspirata e disa serbëve”, është thënë në tekst.
Asnjë kërkim nuk është kryer në Serbi që ka të bëjë me diçka të tillë.
Një fotografi ku shihen armë në tavolinë afër ushqimit dhe pijeve, gjoja diku në Mitrovicë të Veriut – është shpërndarë disa herë në kanalet ruse në Telegram.
“Serbët e Kosovës po nxjerrin armët e fshehura. Na besoni, ka armë të mjaftueshme ilegale atje”, shkruan në përshkrimin e fotografisë, e cila është publikuar nga kanali "Orlovi", që drejtohet prej organizatës joqeveritare “Qendra Ruso-Serbe ‘Orlovi’”me bazë në Shën Petersburg.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nuk ka mundur të identifikojë se kur dhe ku është bërë ajo fotografi.
Fotografia e njëjtë, me tekst të njëjtë, është shpërndarë pothuajse në kohën e njëjtë nga kanalet tjera, përfshirë atë të Dejan Beriqit, një shtetas serb që është duke luftuar në anën ruse në Ukrainë, dhe ndaj të cilit Serbia ka hapur rast për shkak se po lufton në tokë të huaj.
“Nxitësit e NATO-s”
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, forcat ushtarake të të cilit janë duke luftuar në Ukrainë dhe janë në anën e Rusisë, ka folur po ashtu për tensionet në veri të Kosovës.
Kadyrov ka bërë postimin në kanalin e tij në Telegram – ku ka mbi 2.6 milionë ndjekës, duke thënë se po ndjek zhvillimet në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe e ka vlerësuar situatën si “komplekse”.
Sipas tij, NATO-ja është në anën e “nxitësve”.
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të cilin e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO-ja dhe çfarë metoda përdor aleanca për të nxitur konflikte”, ka thënë Kadyrov, udhëheqësi autokrat i Republikës Çeçene, i cili ka autonomi brenda Federatës Ruse.
Ai e ka akuzuar NATO-n se “po tenton të korruptojë shtetet me vlera tradicionale” dhe që t’i kthejë ato “në një tufë njerëzish të këqij, me instinkte shtazarake, pa besim dhe nder”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 31 korrik se është duke analizuar nga afër zhvillimet në veri dhe është i gatshëm të intervenojë nëse kërcënohet stabiliteti.
Këtë kompetencë të KFOR-it e përcakton rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila është miratuar më 1999.
Rezoluta është mbështetur nga 14 vendet anëtare të KS të OKB-së, përfshirë Rusinë.
Thirrjet për dhunë
Disa kanale në Telegram kanë treguar hapur se presin nga shtetasit serbë dhe përfaqësuesit shtetërorë që të kryejnë veprime të dhunshme.
Administratori i kanalit “Rosiq”, që ka rreth 100.000 ndjekës, ka thënë përmes një postimi më 31 korrik se shpreson që Vuçiq “do të ketë vendosmërinë për të nisur urdhër” për veprim ushtarak, dhe se ushtria serbe do të jetë mjaftueshëm e fuqishme “për t’i bërë shqiptarët rrafsh me tokë”.
Më 31 korrik, kanali ‘Orlovi’ ka publikuar një video që shfaq një grup të burrave duke djegur flamurin e Shqipërisë dhe duke bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve.
“Ne presim veprime të tilla nesër në gjithë Serbinë dhe përtej saj”, kanë thënë administratorët e faqes në përshkrimin poshtë videos, duke lënë të kuptohet se pamjet janë nga arkivi.
Në një postim më 1 gusht, kanali i njëjtë poston një pyetje: A kanë marrë zemër muzikantët që të nisin mbledhjen e instrumenteve?” Fjalët “muzikantë” dhe “instrumente” në këtë kontekst nënkuptojnë “luftëtarët” dhe “armët”.
Në një postim të këtij kanali më 4 korrik, shihet një burrë me armë me mbishkrimin: ‘Shfaqet ‘muzikanti’ nga Serbia.
Kanali “Wagner Z Group” që kryesisht promovon njësitet paramilitare që luftojnë në Ukrainë, ka publikuar një fotografi të flamurit serb më 1 gusht me një koment në gjuhën ruse: Kosova është Serbi. Denazifikimi është i pashmangshëm”.
Ky koment i referohet qëndrimit të Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Sipas autoriteteve ruse, Moska ka nisur “operacion special ushtarak” për të “denazifikuar Ukrainën”.
Militarizimi i shoqërisë
Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, ka thënë se narrativa të tilla janë të rrezikshme, pasi militarizojnë audiencën që ndjek këto kanale.
“Ekziston një ndjenjë për veprime ushtarake për hir të realizimit të disa interesave, në këtë rast të realizimit të interesave kombëtare, siç i shohin ata. Njoftime të tilla me doza militarizmi, që kanë cak emocionet, marrin vëmendjen e një pjese të mirë të publikut”, ka thënë Petroviq.
Prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më shumë se pesë muaj më parë, shumë kanale ruse dhe serbe në Telegram publikojnë propagandë pro-ruse dhe përhapin lajme të paverifikuara dhe dezinformuese çdo ditë.
Siç e ka theksuar edhe më parë Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, disa prej tyre shënjestrojnë hapur kundërshtarët e pushtimit rus, të cilët kanë protestuar në Beograd kundër luftës.