Barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Rakiq, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në ndërtesën e Qeverisë në Beograd.
Sipas tyre, në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, siç thanë ata, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”.
Ata kanë shtuar se përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviqit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.
“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka thënë Petkoviq.
Serbët nga Kosova kanë vendosur bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.
Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.
“Dialogu dhe tryeza e Brukselit janë i vetmi vend për zgjidhje, jo dërgimi i policisë dhe ndërtimi i barrikadave. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të gjejmë zgjidhje me barrikada, por zgjidhja nuk do të vijë as me dërgimin e policisë”, ka thënë mes tjerash Rakiq.
Ai po ashtu i ka thënë Kurtit që të mos u drejtohet serbëve në gjuhën serbë, por në gjuhën e tij amtare.
"Ne i kuptojmë mesazhet e tij, e ato janë se ai neve serbëve nuk na sheh. Sikurse të mos ekzistojmë atje (në Kosovë)".
I pyetur se pse, edhe përkundër gjithë asaj që deklaron, ai është ende pjesë e Qeverisë së Kosovës, Rakiq ka thënë se do të largohet nga Qeveria vetëm atëherë kur “populli që e ka zgjedhur, atë ta bëjë këtë”.
“Unë jam opozitë në atë Qeveri. Unë nuk jam zgjedhur nga Kurti për të hyrë në të, por nga populli”, ka deklaruar Rakiq.
- Për më shumë detaje mund të informoheni në live blogun e Radios Evropa e Lirë.
Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën kamionë dhe mjete të tjera në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Bllokadat u vendosën si kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, atë për targat dhe dokumentet serbe.
Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.
Një dokument të tillë, Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim që të gjitha makinat në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia, të riregjistrohen.
Pas tensioneve në veri, Qeveria tha më 31 korrik se zotohet që të shtyjë nisjen e zbatimit të vendimeve deri në shtator, kur të hiqen barrikadat në veri të Kosovës.
Lëshimi i dokumenteve të hyrje-daljeve po vazhdon në katër pikëkalimet e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura për qarkullim. Por, ky vendim nuk po zbatohet në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat janë mbyllur për shkak të bllokadave.