Ndërlidhjet

Hiqen barrikadat, shtyhet zbatimi i vendimeve për dokumentet dhe targat serbe


Hiqen barrikadat për ta shtyrë reciprocitetin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Të nëntë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës janë larguar nga vetë ata më 1 gusht, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se po ashtu janë hapur dy pikëkalimet kufitare - Jarinjë dhe Bërnjak - që lidhin Kosovën me Serbinë.

"Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët", tha Sveçla.

Pas heqjes së barrikadave, ashtu siç ishte zotuar Qeveria, Sveçla tha se do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve që çuan në bllokimin e rrugëve, përkatësisht vendimet për dokumentet dhe targat serbe.

"Me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon", tha ai.

Kamionët dhe mjetet e tjera të vendosura në rrugët që çonin drejt këtyre dy vendkalimeve në veri, nisën të largoheshin gjatë ditës së hënë.

  • Për më shumë detaje mund të informoheni në live blogun e Radios Evropa e Lirë.

Disa nga barrikadat ishin vendosur në fshatrat Rudarë dhe Zupç.

Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikën kufitare të Jarinjës.

Ndërkaq, fshati Zupç gjendet në afërsi të magjistrales Mitrovicë-Bërnjak.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se situata në atë pjesë të shtetit është e qetë.

Largimi i kamionëve nga fshati Rudarë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:20 0:00

Gjatë një adresimi për media, më 1 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nëntë barrikadat “me njerëz të armatosur”, më 31 korrik ndaluan qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë ditës tha se ishin gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovë.

Pas tensioneve në veri, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë krerëve të Kosovës dhe Serbisë, për t'u takuar në Bruksel.

Në takimin e thirrur nga Borrell, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paralajmëruar se do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura. Por, ende nuk ka konfirmim të pjesëmarrjes nga asnjëri lider.

Ndërkaq, rrugët e Mitrovicës së Veriut, e banuara me shumicë serbe, më 1 gusht janë parë mesazhe ku shkruhet: "Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe".

Po ashtu, punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe arsimit të sistemit serb në Kosovë, gjatë ditës u urdhëruan që të dalin në barrikada.

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: "Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe".
Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: "Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe".

Autoritetet e rendit kanë raportuar më 1 gusht se ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Në Merdarë pritjet po zgjasin deri në 60 minuta, ndërkaq te Dheu i Bardhë deri në 180 minuta.

Rama: Aspak i arsyeshëm përshkallëzimi i situatës në veri

Më 1 gusht, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti aspak të arsyeshëm përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, derisa i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës”.

Gjatë një konference për media në Tiranë, Rama tha se Qeveria e Kosovës “ka të drejtën dhe detyrën për të ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”.

“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit serb që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe me asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.

Pse u vendosën barrikadat?

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).

Targat me akronime të qyteteve të Kosovës, nga Prishtina zyrtare konsiderohen ilegale, por vlerësohet se në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa të tilla.

Për shkak të tensioneve në veri, Policia e Kosovës më 31 korrik mbylli pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe udhëzoi qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Më 31 korrik, Policia raportoi se ka pasur të shtëna me armë zjarri në disa lokacione dhe disa kanë qenë drejtim të Policisë, por nuk ka pasur të plagosur.

Përpjekjet e SHBA-së për të ulur tensionet

Pas rritjes së tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj.

“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime”, tha Hovenier pas një takimi që zhvilloi në orët e vona të së dielës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pak minuta pas kësaj, Qeveria njoftoi se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve deri më 1 shtator, “kur do që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Më 1 gusht, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se në 24 orët e fundit kanë bërë të pamundurën “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” në komunat veriore të Kosovës.

“Po flasim me serbët e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka në dorën tonë për të mbajtur paqe dhe stabilitet, por njerëzit tanë janë lodhur. Askush nuk mund të durojë terrorin e përditshëm të Albin Kurtit”, tha Petkoviq.

Por, për shkak të moslargimit të barrikadave, autoritetet në Kosovë kanë nisur të lëshojnë dokumentet e hyrje-daljeve për shtetasit e Serbisë.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mirëpriti vendimin e Kosovës, për të pranuar, siç tha ai, propozimin e shefit të bllokut evropian, Josep Borrell, për shtyrjen e zbatimeve.

“BE-ja pret që të gjitha pengesat rrugore të hiqen menjëherë. Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për rrugën përpara. Falënderues ndaj Ambasadës amerikane në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar ai në Twitter.

NATO e përgatitur të ndërhyjë

Pas rritjes së tensioneve në veri, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se është i përgatitur që të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”, u tha në njoftimin e KFOR-it më 31 korrik.

Bllokadat e mëhershme për targat

Edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Përpjekjet e Prishtinës për ta kontrolluar veriun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG