Ndërlidhjet

Vuçiq, “i shqetësuar” në prag të zbatimit të vendimit për targa


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave.

Me këtë vendim, të datës 29 qershor, të gjitha makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës.

Automjete me targa të tilla - rreth 10.000 - qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës - pjesë e banuar me shumicë serbe.

“Jam i shqetësuar dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha të enjten Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh që riregjistrimi i makinave të nisë nga data 1 gusht dhe të zgjasë deri më 30 shtator.

Bëhet fjalë për makinat që i kanë targat me akronime të qyteteve të Kosovës, si: PR për Prishtinën, GL për Gjilanin, PZ për Prizrenin, KM për ‘Mitrovicën e Kosovës’ e të tjera.

Ato tani do të duhet të regjistrohen në RKS, që do të thotë Republika e Kosovës.

Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por ajo nuk është zbatuar në terren.

Në komunat në veri ka vazhduar qarkullimi i makinave me targa të tilla, që i lëshon Ministria e Brendshme e Serbisë, në kundërshtim me marrëveshjen.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i zëvendësojë targat me akronimet e qyteteve.

Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë duan që “targat KM të mos ekzistojnë askund”.

“Me çfarë baze? Ku shkruan? Shkruan në kokën e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti dhe të vendeve të Quint-it [SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës], sepse për to, Kosova është shtet”, tha Vuçiq.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, pas 30 shtatorit, nuk do të ketë mundësi riregjistrimi me targat që lëshojnë autoritetet serbe. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me makinat që nuk riregjistrohen në RKS pas këtij afati.

Nga 1 gushti do të hyjë në fuqi edhe një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas këtij vendimi, të gjithë ata persona që kanë dokumente të tilla, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Kjo është një lloj mase reciproke, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG