Ndërlidhjet

Përballje e ashpër e kandidatëve për kryeministër të Britanisë


Finalistët për garën e kryetarit të Partisë Konservatore në Britani: Rishi Sunak dhe Lizz Truss, gjatë debatit të parë televiziv.
Finalistët për garën e kryetarit të Partisë Konservatore në Britani: Rishi Sunak dhe Lizz Truss, gjatë debatit të parë televiziv.

Rishi Sunak dhe Lizz Truss janë përballur me njëri-tjetrin sa i përket të ardhmes së ekonomisë britanike, në debatin e tyre të parë televiziv.

Ish-sekretari britanik i Thesarit dhe ministrja e Jashtme britanike garojnë për pozitën e kryetarit të Partisë Konservatore, pozitë që mundëson me automatizëm edhe pozitën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Boris Johnsonit javë më parë.

Kandidatët Rishi Sunak dhe Liz Truss gjatë debatit televiziv më 25 korrik 2022.
Kandidatët Rishi Sunak dhe Liz Truss gjatë debatit televiziv më 25 korrik 2022.

Sunak i ka thënë Trussit se plani i saj për taksa “do të përballë miliona njerëz me mjerim” dhe diçka e tillë do të bie si barrë për Partinë Konservatore në zgjedhjet e ardhshme.

Truss ka thënë se rritja e taksave, vendim i Sunakut, do të çojë në recesion.

Të dy garuesit – të cilët kanë qenë në kabinetin e njëjtë deri tri javë më parë – kanë pasur me raste qëndrime shumë të ashpra ndaj njëri-tjetrit.

Pas debatit, mbështetësit e Trussit janë ankuar se Sunak ka qenë shumë agresiv ndaj saj, diçka që kampi i Sunakut e ka mohuar.

Megjithatë, të dy kanë zbutur tonet në fund të debatit.

Truss ka thënë se do të donte ta kishte Sunakun në ekipin e saj, nëse bëhet kryeministre.

Sunak, në anën tjetër, ka lavdëruar qëndrimin e Trussit ndaj Rusisë.

Të dy konkurrentët do të bëjnë fushatë në javët në vijim për të bindur rreth 180,000 anëtarët e Partisë Konservatore me të drejtë vote.

Fituesi i zgjedhjeve do të bëhet publik më 5 shtator.

Johnson, i cili ka dhënë dorëheqje më 7 korrik, pas disa muajsh të skandaleve etike, vazhdon të jetë në krye të Qeverisë britanike, derisa t'i zgjidhet pasardhësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG