Ndërlidhjet

Ministria serbe: Nuk jemi përgjegjës për fluturimin e aeroplanit ukrainas


Pamje pas rrëzimit të aeroplanit ukrainas në veri të Greqisë. 16 korrik 2022.
Pamje pas rrëzimit të aeroplanit ukrainas në veri të Greqisë. 16 korrik 2022.

As organizimi i fluturimit me armatim serb nga Nishi drejt Bangladeshit, dhe as përzgjedhja e kompanisë transportuese, nuk kanë qenë kompetencë e Republikës së Serbisë, ka thënë Ministria serbe e Mbrojtjes më 20 korrik.

Reagimi i ministrisë vjen katër ditë pasi një aeroplan ukrainas, i cili po bartte armë serbe për në Bangladesh, është rrëzuar në veri të Greqisë.

“Theksojmë se Serbia nuk është kompetente për lejet e fluturimit në territoret e huaja, sepse ato janë vendime sovrane të secilit shtet, që një operator i drejtohet për leje fluturimi. Në këtë rast, shteti ynë ka respektuar ligjin ndërkombëtar dhe ka përmbushur të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe ne mbështesim autoritetet greke në kryerjen e një hetimi të detajuar”, ka thënë ministria.

Ajo po ashtu ka thënë se aeroplani që është rrëzuar në Greqi ka qenë duke i transportuar armatim Ministrisë së Mbrojtjes së Bangladeshit.

“Serbia respekton të gjitha rregulloret ndërkombëtare për tregti dhe eksport të armëve dhe pajisjeve ushtarake, andaj edhe do të vazhdojë të prodhojë dhe të shesë pajisje të industrisë së saj të mbrojtjes, te të gjithë përdoruesit e autorizuar”.

Ministria e ka përsëritur se pronare e gjithë armatimit ka qenë kompania private “Valir”, derisa aeroplani, në pronësi të një kompanie ukrainase, ka bartur rreth 11.5 tonë të minave për stërvitje dhe mortajave të lehta.

“Ministria serbe e Mbrojtjes ka informuar publikun për këtë gjë. Kompania ajrore dhe Ministria e Mbrojtjes së Bangladeshit kanë deklaruar tashmë të njëjtën gjë, që armët janë blerë për ushtrinë dhe gardën e tyre kufitare. Kjo është e vërteta e vetme dhe këto fakte janë konfirmuar nga të gjitha palët”, është thënë në njoftim.

Ministria serbe ka përsëritur po ashtu se asnjë armë nuk është transportuar në Ukrainë, dhe se prej vitit 2016 nuk është lëshuar asnjë leje për transportim të çfarëdo lloji armësh nga Serbia në Ukrainë.

Sipas saj, kompanitë serbe të sektorit për mbrojtje – që punëson rreth 22,000 njerëz – kanë eksportuar armë në vlerë të 500 milionë dollarëve vitin e kaluar.

Aeroplani ukrainas "Antonov An-12" është rrëzuar më 16 korrik afër Kavallas në veri të Greqisë.

Në të kanë qenë 11.5 tonë të municionit të prodhuar në Serbi, që ishin destinuar për në Bangladesh.

Tetë pjesëtarët ukrainas që kanë qenë në bord, kanë vdekur në aksident.

Më 18 korrik, Greqia i ka nisur Serbisë notë proteste, me arsyetimin se nuk kanë dhënë informacione me kohë për armët që kanë qenë në aeroplan, kanë thënë burimet diplomatike.

Ministria serbe e Mbrojtjes ka thënë më 18 korrik se mbështet autoritetet greke në kryerjen e një hetimi të detajuar dhe se do të informojnë publikun.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG