Ndërlidhjet

Bërçko i Bosnjës njeh fëmijët e lindur nga përdhunimi


Ajna Jusiq, nga Shoqata "Fëmijë të harruar të luftës", gjatë shfaqjes "Në emër të babait" në Teatrin e Luftës së Sarajevës (SARTR), në Sarajevë, 14 tetor 2019.
Ajna Jusiq, nga Shoqata "Fëmijë të harruar të luftës", gjatë shfaqjes "Në emër të babait" në Teatrin e Luftës së Sarajevës (SARTR), në Sarajevë, 14 tetor 2019.

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës në Qarkun e Bërçkos - njësi kjo e posaçme administrative e këtij vendi.

Është hera e parë në Bosnje dhe Hercegovinë që Qeveria pranoi se kjo kategori duhet të jetë “e dukshme”.

Asambleja e Qarkut të Bërçkos, më 15 korrik, mori vendimin që t’i përfshijë fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Ligjin për viktimat civile të luftës. Për këtë ligj është pritur dhjetë vjet.

“Jemi të lumtur që Qeveria e pranoi këtë nismë dhe që, në më pak se gjashtë muaj, u hartua udhëzimi dhe u miratua ligji”, tha kreu i Departamentit të shëndetësisë dhe shërbimeve lokale në Qeverinë e Qarkut Bërçko, Sead Shadiq.

Karim Khan, prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përgëzoi Asamblenë e Bërçkos dhe organizatat joqeveritare që morën pjesë në propozimin dhe krijimin e zgjidhjes ligjore.

“Këtyre fëmijëve do t’u kushtohet vëmendje e veçantë nga zyra ime, në hetime dhe ndjekje penale”, shkroi Khan në Twitter.


Në pjesën tjetër të këtij vendi, në entitetin e Republika Sërpskës dhe në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht në dhjetë kantone të kësaj federate, fëmijët e lindur pas përdhunimeve gjatë luftës, nuk e kanë statusin e viktimave civile të luftës.

Simbolike, por domethënëse

Çdo njohje, si përmes sistemit, si përmes shtetit, do të thotë shumë, tha për Radion Evropa e Lirë Jellena Çajiq nga Tuzlla, e cila ka lindur si pasojë e përdhunimit gjatë kohës së luftës.

“Është e rëndësishme për të gjithë ne, është një hap drejt realizimit të të drejtave, kudo, këtu në Bërçko, kudo që është, mirë është. Kjo ka domethënie për ne”, tha ajo.

Për Ajna Jusiqin, e lindur nga përdhunimi gjatë luftës - e cila përmes shoqatës “Fëmijët e harruar të luftës” sot lufton për të drejtat dhe statusin e njerëzve si ajo - vendimi është një precedent në luftën për të drejtat e njeriut.

“Nga këndvështrimi i fëmijëve dhe nënave, ne besojmë se, më në fund, kjo është një lloj garancie që nuk do të mbetemi të padukshëm dhe se dikur, në të ardhmen, do ta kemi mundësinë të njihemi ligjërisht edhe nga shoqëria”, tha Jusiq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shtoi se gjatë katër vjetëve të fundit, përmes shoqatës, kanë argumentuar se pse është e rëndësishme që ligji të miratohet.

“Është e rëndësishme të theksohet fakti se procesi transitor i drejtësisë, nuk do të mund të përfundonte nëse nuk njihet një kategori e cenueshme, siç janë fëmijët e lindur si pasojë e aktit të përdhunimit”, theksoi Jusiq.

Nga organizata “Trial”, e cila punon për përmirësimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, thanë se ky është një mesazh që këta fëmijë nuk janë harruar.

“Me këtë lloj njohjeje askush nuk do të mund të mohojë ekzistencën e tyre apo pasojat specifike psikologjike, sociale dhe ekonomike, me të cilat ata po përballen edhe sot”, tha për Radion Evropa e Lirë Amina Hujdur, bashkëpunëtore për komunikim nga organizata “Trial”.

Sipas saj, bëhet fjalë për një akt simbolik të njohjes përfundimtare juridike dhe sociale të fëmijëve të lindur nga përdhunimi në luftë, si kategori e veçantë e viktimave civile të luftës.

“Fatkeqësisht, ne kemi pritur që fëmijët të rriten dhe ata vetë të luftojnë për status dhe njohje, si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë juridik”, theksoi Hujdur.

Nevojiten hapa të mëtejmë dhe përparime

Deri më 15 korrik, kur u miratua Ligji për viktimat civile, Bërçko ka rregulluar të drejtat dhe nevojat e kësaj kategorie përmes Vendimit për mbrojtjen e viktimave civile të luftës.

Ligji rregullon edhe të drejtat e viktimave për përparësi në arsim dhe bursa, të drejtën mbi përfitimet për invalidët ose rehabilitim mjekësor.

Megjithatë, nga organizata “Trial” theksojnë se është bërë një lëshim, sepse fëmijëve të lindur pas përdhunimeve gjatë luftës, nuk u janë njohur të gjitha të drejtat.

“Korniza ligjore duhet të përmirësohet. Para së gjithash, njohja e statusit kufizohet vetëm për fëmijët, nënat e të cilëve tashmë kanë arritur statusin e viktimës së përdhunimit në luftë. Kjo gjë i përjashton fëmijët e tjerë, nënat e të cilëve nuk e kanë kërkuar këtë status”, tha Hujdur.

Çfarë ndodhi me pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës?

Ligji i miratuar në Bërçko hyn në fuqi tetë ditë pas miratimit.

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës nuk e kanë statusin e viktimave civile të luftës në pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës dhe as ndonjë të drejtë që do të dilte nga një status i tillë.

Shoqata “Fëmijët e harruar të luftës”, prej vitesh, lufton që të paktën të mos ketë nevojë të shënohet emri i babait, gjatë plotësimit të dokumenteve dhe formularëve të caktuar.

Vështirësitë administrative janë tejkaluar, por vetëm në disa bashkësi lokale.

Të gjithë hapat domethënës duhet të ndërmerren nga entitetet, të cilat, sipas shembullit të Bërçkos, duhet t’i njohin si viktima civile fëmijët e lindur si pasojë e luftës, thonë nga “Trial” dhe nga shoqata “Fëmijët e harruar të luftës”.

Në fillim të qershorit 2022, Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës miratoi Projektligjin për mbrojtjen e viktimave civile të luftës, i cili përcakton qartë njohjen e statusit të fëmijëve të lindur nga përdhunimi.

“Ky është një tregues pozitiv, që një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Federatë. Ndërkaq, kjo në Bërçko tregon se është e mundur dhe se zgjidhje të tilla ligjore mund dhe duhet të zbatohen edhe në entitete”, thanë nga “Trial”.

Ekspozita “Të flasim” përmes tregimeve, fotografive dhe video-dëshmive të të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga përdhunimet në luftë, synon të ndërgjegjësojë situatën e grave të dhunuara në luftë dhe të fëmijëve të lindur pas përdhunimit në luftë. Sarajevë, qershor 2021.
Ekspozita “Të flasim” përmes tregimeve, fotografive dhe video-dëshmive të të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga përdhunimet në luftë, synon të ndërgjegjësojë situatën e grave të dhunuara në luftë dhe të fëmijëve të lindur pas përdhunimit në luftë. Sarajevë, qershor 2021.

Në Republikën Sërpska, fëmijët e lindur nga përdhunimet në luftë nuk njihen si viktima civile të luftës.

Kur bëhet fjalë për gratë që i mbijetuan përdhunimit gjatë luftës, në Federatën e Bosnje e Hercegovinës ato mbulohen nga Ligji ekzistues për bazat e mbrojtjes sociale, mbrojtjen e viktimave civile të luftës dhe mbrojtjen e familjeve me fëmijë.

Në Republikën Sërpska, nga viti 2018 është në fuqi Ligji për mbrojtjen e viktimave të torturës gjatë luftës.

Nuk ka të dhëna për numrin e fëmijëve të lindur nga përdhunimet gjatë luftës

As për Bërçkon, as për pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare për numrin e fëmijëve të lindur nga përdhunimet gjatë kohës së luftës, sepse nuk është mbajtur asnjë evidencë për lindjen e tyre.

Nuk ka të dhëna të sakta as për numrin e grave të dhunuara gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vlerësimet e Kombeve të Bashkuara thonë se bëhet fjalë për 20.000 deri në 50.000 gra.

Pas lindjes, një numër i caktuar grash hoqën dorë nga fëmijët që kishin lindur nga përdhunimi dhe fëmijë të tillë vendoseshin në shtëpi për fëmijë, ose birësoheshin dhe çoheshin në vende të huaja. Prandaj, shumica prej tyre nuk janë në dijeni për origjinën dhe identitetin tyre, thonë nga organizata “Trial”.

“Ata fëmijë që janë lënë në kujdesin e nënave të tyre, për t’i rritur në mënyrë të pavarur, që kanë informacione për origjinën e tyre, përballen me probleme që lidhen me identitetin e tyre, stigmatizimin, margjinalizimin dhe izolimin”, theksoi Hujdur.

Nënat e tyre shpesh i kanë rritur në kushte të vështira socio-ekonomike, pa asnjë mbështetje shtesë.

Ajna Jusiq, e lindur nga përdhunimi, tha se veprimi që është ndërmarrë në Bërçko, aq sa është i rëndësishëm për fëmijët, po aq është edhe për nënat.

Për nënat tona që luftuan gjithë jetën, u përballën me problemet e tyre dhe në të njëjtën kohë luftuan që fëmijët e tyre të njihen."
Ajna Jusiq


“Për nënat tona që luftuan gjithë jetën, u përballën me problemet e tyre dhe në të njëjtën kohë luftuan që fëmijët e tyre të njihen”, tha Jusiq.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) e shpalli përdhunimin “armë lufte” gjatë ndjekjes penale të krimeve të luftës në territorin e Bosnje e Hercegovinës.

Gjykimi i Dushko Tadiqit, ish-kryetarit të këshillit lokal të Partisë Demokratike Serbe (SDS) në Kozarac, afër Prijedorit në Serbi, në vitin 1997, ishte rasti i parë i procedimit të krimit të luftës para kësaj gjykate, por edhe rasti i parë ku u gjykua për dhunë seksuale.

Më shumë se 30 kriminelë lufte janë dënuar për krime të dhunës seksuale në këtë gjykatë.

Nga viti 2004, më shumë se 130 persona janë dënuar në gjykatat e Bosnje e Hercegovinës për raste të njëjta, ndërkaq rreth 200 raste të lidhura me dhunën seksuale janë në procedim e sipër. Pothuajse dy të tretat e të dënuarve morën nga tre deri në pesë vjet burgim, sipas të dhënave nga organizatat joqeveritare.

Shembull për vendet e tjera?

Duke njohur statusin e fëmijëve të lindur si pasojë e luftës, Qarku i Bërçkos është i pari që iu përgjigj pozitivisht rekomandimeve ndërkombëtare për këtë kategori viktimash.

Në fillim të vitit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje qeverive që për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës dhe për fëmijët e lindur si pasojë e përdhunimeve, të sigurohen të gjitha të drejtat dhe mbështetja, duke theksuar edhe nevojën që të njihen si viktima.

Nga “Trial” theksuan se njohja në Bërçko është gjithashtu në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila vendosi që “fëmijët e lindur si rezultat i përdhunimit dhe skllavërisë seksuale, janë viktima të drejtpërdrejta të këtyre krimeve dhe kanë të drejtën e dëmshpërblimeve”.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG