Ndërlidhjet

Rusia gjobit me 360 milionë dollarë kompaninë Google


Logoja e rregullatorit shtetëror të komunikimeve ruse, Roskomnadzor, pasqyrohet në një ekran që tregon faqen fillestare të Google-it. Fotografi ilustruese
Logoja e rregullatorit shtetëror të komunikimeve ruse, Roskomnadzor, pasqyrohet në një ekran që tregon faqen fillestare të Google-it. Fotografi ilustruese

Një gjykatë në Moskë ka gjobitur të hënën kompaninë Google me 21 miliardë rubla (360 milionë $) pasi sipas saj, nuk ka hequr përmbajtje në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Rregullatori i telekomunikacionit rus, “Roskomnadzor” deklaroi të hënën se platforma video e YouTube-it, në pronësi të Google-it, dështoi në bllokimin e “informacioneve të rremë” mbi ofensivën ruse në Ukrainë, sikurse edhe në heqjen e “propagandës ekstremiste dhe përmbajtjeve terroriste” të cilat i bënin thirrje të miturve të merrnin pjesë në demonstrata të paautorizuara.

Kjo është hera e dytë që autoriteti rus gjobit Google pasi vitin e kaluar gjiganti i telekomunikacionit botëror u gjobit me 98 milionë dollarë.

Llogaria bankare e filialit rus të Google u bllokua, çka solli dhe falimentimin e saj dhe bëri të pamundur pagesën ndaj stafit dhe furnizuesve lokalë.

Kompania Google, e cila mund të apelojë vendimin, nuk i është përgjigjur ende kërkesës për koment.

Në qershor të këtij viti, rregullatori rus i telekomunikacionit “Roskomnadzor” deklaroi se platforma YouTube po shpërndante informacion të rremë mbi konfliktin në Ukrainë dhe kishte lejuar promovimin e pikëpamjeve ekstremiste në vend.

"Faqja e videove YouTube me qëllim promovon shpërndarjen e informacioneve të pavërteta mbi progresin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, duke diskretituar forcat e armatosura të Federatës Ruse”, deklaroi Roskomnadzor.

Rusia pretendon se po zhvillon “një operacion special ushtarak” në Ukrainë, për të eliminuar, sipas saj një kërcënim ndaj sigurisë dhe për të mbrojtur popullsinë rusisht-folëse nga persekutimi.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë hedhin poshtë akuza të tilla si pretekste të pabaza për një grabitje të paligjshme territoresh.

Google, konfirmoi më 1 mars se kishte hequr mediat ruse të financuara nga shteti si “RT” nga seksioni i saj i lajmeve, përfshi mjetin e kërkimit të Google News, pas pushtimit rus të Ukrainës raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG