Gjashtë persona u vranë pasi Rusia bombardoi një ndërtesë në qytetin Toreck, në lindje të Ukrainës, tha më 18 korrik shërbimi ukrainas i emergjencave.
“Mëngjesin e sotëm, qyteti Toreck është granatuar. Një ndërtesë dykatëshe, me njerëz brenda, u shkatërrua”, tha Shërbimi shtetëror për Situata Emergjente i Ukrainës.
“Ekipet e shpëtimit gjetën dhe nxorën trupat e pesë njerëzve të vdekur. Tre persona u shpëtuan nga rrënojat dhe një prej tyre vdiq në spital”, u shtua në deklaratë.
Ekipet e shpëtimit thanë se kanë përfunduar kërkimet për të mbijetuar të tjerë.
Toreck, një qytet me popullsi prej 30.000 banorësh, gjendet rreth 50 kilometra në jug të Kramatorskut, një prej qyteteve të fundit që kontrollohet nga Ukraina në lindje të vendit.
Më 17 korrik, ushtria ukrainase tha se Rusia po përgatitet për fazën e re të ofensivës së saj në Ukrainë, pas urdhrave të Moskës për të rritur operacionet ushtarake. Qëllimi kryesor i Rusisë është që të marrë kontrollin e Donjeckut dhe Luhanskut, dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit. Por, Rusia aktualisht po kryen sulme edhe në Ukrainën qendrore, verilindore dhe jugore.
Ukraina tha se ditëve të fundit forcat e saj janë duke përgatitur veten për kundërsulme të mëdha për të marrë territorin e humbur, veçmas në jug të shtetit.