Ndërlidhjet

Kerry: Rikthimi i përdorimit të qymyrit në Evropë duhet të jetë i përkohshëm


I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Klimën, John Kerry.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Klimën, John Kerry.

Lufta e Moskës në Ukrainë nuk duhet të bëjë që të anashkalohen përpjekjet e Bashkimit Evropian për të zvogëluar emetimet e karbonit, edhe nëse kontinenti detyrohet t’i kthehet përdorimit të qymyrit për t’u përballur me uljen e furnizimeve të gazit rus.

Kështu tha i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Klimën, John Kerry.

Disa shtete të BE-së po planifikojnë që të rikthejnë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, pas zvogëlimit të dërgesave të gazit rus dhe kërcënimit të krizës së energjisë në dimër, nëse Moska ndërprenë plotësisht furnizimet.

Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë sinjalizuar se termocentralet me qymyr mund ta ndihmojnë kontinentin që ta tejkalojë krizën, teksa çmimet e gazit janë rritur, duke shtyrë qeveritë që të rikthejnë masat emergjente për të ruajtur burimet e energjisë.

“Lufta ka krijuar, siç ndodh gjithmonë, disa kompromise shumë të vështira... Mund të ndodhë që për të mbajtur ekonominë dhe për të ruajtur stabilitetin politik do të detyroheni që përkohësisht të përdorni qymyrin, teksa po ndërtoni burimet për energjinë e ripërtërishme”, tha Kerry gjatë interviste për Reuters.

“Lufta nuk nënkupton që hapat për klimën ndalojnë përmenjëherë, kriza klimatike nuk ndalon së zhvilluar”, shtoi ai.

Qymyri ka më shumë karbon sesa gazi natyror, dhe rikthimi i përdorimit të qymyrit do të shkaktojë më shumë ndotje.

BE-ja synon që të reduktojë 55 për qind të emetimeve të gazrave serrë deri më 2030, por analistët thonë se ky synim vihet në rrezik nëse Evropa i rikthehet përdorimit të qymyrit.

Përderisa rritja e përkohshme e përdorimit të qymyrit në Evropë po bëhet për shkak të luftës në Ukrainë, Evropa duhet të bëjë përpjekje që të kalojë më shpejt në energjinë e gjelbër, tha Kerry.

“U besoj qeverive evropiane dhe besoj që mësimi që do të nxirret nga situata në Ukrainë është se nuk na duhen më karburante fosile, por na duhet një tranzicion më i shpejt në energjinë e pastër”, tha ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG