Ndërlidhjet

Rusifikimi i shkollave në Ukrainë: “Fëmijët mësohen të urrejnë”


Një grua duke ecur në koridorin e një shkolle të dëmtuar nga bombardimet ruse në Harkiv, korrik 2022.
Një grua duke ecur në koridorin e një shkolle të dëmtuar nga bombardimet ruse në Harkiv, korrik 2022.

Prindërit dhe edukatorët në zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainën jugore, thonë se autoritetet okupuese po u bëjnë shantazh, për t’i detyruar që të bashkëpunojnë me shkollat pro-ruse, që po krijohen për vitin e ardhshëm akademik.

Burimet thonë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se autoritetet okupuese u thonë banorëve se mund të humbasin të drejtat e tyre prindërore, nëse nuk marrin pasaporta ruse dhe nëse nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të caktuara.

“Vendasit nuk duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla, por ata janë të frikësuar”, thotë Serhiy Shyshkovskiy, mësues i historisë në rajonin e Hersonit.
“Njerëzit kanë frikë se mos i humbasin fëmijët e tyre... dhe nuk dinë se si t’u përgjigjen këtyre kërkesave”, thotë ai.

“Në qytetin Enerhodar [në pjesën veriperëndimore të rajonit të Zaporizhjas, të kontrolluar nga Rusia] ka pasur presion mbi prindërit dhe fëmijët, në lidhje me respektimin e ligjeve [ruse] për vitin e ardhshëm akademik”, thotë një mësuese në Enerhodar, e cila kërkon të mos identifikohet nga frika e pasojave.

Shkollat në Ukrainë shndërrohen në gërmadha
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Ajo shton se autoritetet okupuese po rekrutojnë mësues dhe personel tjetër për shkollat që po krijojnë.

“Ata janë në kërkim të personelit, por unë dua të theksoj mungesën e bashkëpunimit nga mësuesit tanë”, thotë kjo mësuese.

Ajo thotë se, me sa di, vetëm dy mësues kanë rënë dakord të punojnë në shkollat e reja.

Autoritetet ukrainase thonë se Moska po përgatitet për një pushtim afatgjatë apo edhe për aneksimin e zonave të Ukrainës që lidhin rajonin lindor të Donbasit - ku Rusia ka nxitur një luftë separatiste qysh në vitin 2014 - me rajonin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar me forcë, po ashtu në vitin 2014.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters më 8 korrik, ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar, Andrei Kulin, ka thënë se nuk ka gjasa që Rusia t’i tërheqë forcat e saj “nga pjesa jugore e Ukrainës”.

Në fund të qershorit, autoritetet pushtuese në rajonin e Hersonit kanë njoftuar se po përgatisin një “referendum” për bashkim me Rusinë.

Më 4 korrik, Moska ka emëruar një “qeveri” okupuese për pjesët e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Hersonit. Ajo ka caktuar Mikhail Rodikovin - një zyrtar komunal nga rajoni i Moskës - si “ministër të arsimit dhe shkencës”.

Rodikov ka drejtuar de facto Departamentin e arsimit në qytetin e Sevastopolit në Krime, pas aneksimit të rajonit nga Rusia.

Nis rusifikimi në rajonet e pushtuara të Ukrainës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Sipas gazetares hulumtuese nga Ukraina, Valentyna Samar, Rodikovi ka qenë i përfshirë në disa skandale gjatë mandatit të tij më 2015-2018 në Sevastopol, pas të cilave është detyruar të japë dorëheqje dhe të kthehet në Rusi.

“Është një emërim i çuditshëm, sidomos duke pasur parasysh se Rodikov është 64 vjeç dhe duhet të pensionohet së shpejti”, thotë Samar.

“Por, mendoj se i ka mbetur ende pak barut, kështu që ai po vjen në Herson për të ngritur një sistem të arsimit rus”, shton ajo.

Në lindje, në qytetin port të Mariupolit në Detin e Zi, administrata okupuese ka dërguar mësues në Moskë për “certifikim”, ka thënë Petro Andryushchenko, ndihmës i kryetarit pro-ukrainas të qytetit.

Në një postim më 2 korrik në Telegram, Andryushchenko ka thënë se autoritetet okupuese, përndryshe, i kanë ndaluar joformalisht të gjithë mësuesit që të largohen nga qyteti.

Në maj, Avokatja e atëhershme e Popullit në Ukrainë, Lyudmila Denysova, ka thënë se administrata okupuese në Mariupol - qytetin e shkatërruar dhe kryesisht të shpopulluar nga luftimet e ashpra, përpara se të kapej nga trupat ruse në maj - ka bërë plane “për të rusifikuar plotësisht arsimin”, duke prezantuar standardet e saj për vitin e ardhshëm akademik.


Maksym Borodin, anëtar pro-ukrainas i Këshillit të Qytetit të Mariupolit, thotë për Radion Evropa e Lirë se programi arsimor rus është i mbushur me “mësime propaganduese”.

“Ata i mësojnë fëmijët të urrejnë Ukrainën”, thotë Borodin.

“Në të ashtuquajturat mësime të historisë, ata thonë se Ukraina është fajtore për fillimin e luftës aktuale dhe mohojnë se Rusia ka sulmuar Ukrainën dhe Mariupolin dhe se ka krijuar gjithë këtë tmerr”, shton ai.

Civilët në zonat e pushtuara janë veçanërisht të cenueshëm, sepse Rusia ka krijuar qëllimisht një “vakum informacioni” atje, duke e shkëputur zonën nga ofruesit e internetit dhe të shërbimeve celulare të Ukrainës, si dhe nga mediat e jashtme, thotë ish-ministrja ukrainase e Arsimit dhe Shkencës, Liliya Hrynevych.

“Ata shpesh nuk kanë qasje në internet dhe shikojnë vetëm programe ruse në televizion”, thotë Hrynevych për Radion Evropa e Lirë.

“Edhe fëmijët i dëgjojnë të gjitha këto. Dhe, pastaj, ata shkojnë në shkollë, ku pushtuesit e helmojnë plotësisht hapësirën arsimore me narrativat e tyre. Sa më gjatë që ndodh kjo, aq më shumë infektohet mendja e tyre, veçanërisht kur ata nuk kanë informacione adekuate, të vërteta, dhe mbahen të izoluar”, shton ajo.


Sipas saj, qëllim i rusëve është “shkatërrimi i identitetit kombëtar ukrainas”.
“Kjo është arsyeja përse ata kanë filluar menjëherë të djegin libra për historinë e Ukrainës. Kjo është arsyeja përse kanë filluar të ndërhyjnë në sistemin arsimor dhe t’i shkatërrojnë shkollat tona”, thotë Hrynevych.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, 1.971 shkolla janë dëmtuar nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Rreth 194 prej tyre janë shkatërruar plotësisht.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG