Ministrat e jashtëm të vendeve të G20-s kanë mbërritur të enjten në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në samitin që do të fokusohet në bashkëpunimin global dhe sigurinë energjetike dhe atë ushqimore.
Mes të pranishmëve në samit do të jetë edhe ministri i jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov, mes tensioneve të provokuara nga vendimi i Moskës për të pushtuar Ukrainën.
Në një deklaratë për shtyp, ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock foli mbi konfliktin aktual në Ukrainë: "Është në interesin e të gjithëve të sigurojmë që e drejta ndërkombëtare të respektohet. Ky është emëruesi i përbashkët."
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, Sergey Lavrov dhe ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi do të marrin pjesë në mbledhje mes rritjes së shqetësimeve nga qeveritë perëndimore mbi ndikimin që konflikti në Ukrainë ka në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë, çka ka bërë që edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara të paralajmërojë “për një valë të paprecedentë të urisë dhe varfërisë në botë.”
Por mbi të gjitha, është prania e Lavrovit që po shkakton shqetësim mes diplomatëve perëndimorë.
Ky samit do të vendosë për herë të parë ballë për ballë ministrin e jashtëm rus dhe disa prej kritikëve me të zëshëm të Kremlinit që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt.
Pavarësisht mundësisë për bojkot, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi të martën se Blinken do të ishte i pranishëm në Bali. Por, në deklaratë thuhet se nuk do të ketë një takim zyrtar mes SHBA-ve dhe Lavrovit, duke shtuar se Moska “nuk është serioze për sa i përket diplomacisë.”
“Nuk e kemi parë ende [diplomacinë ruse]”, deklaroi zëdhënësi DASH-it, Ned Price. “Do të donim që rusët të na jepnin një arsye për t’u takuar për bisedime dypalëshe, me ministrin e jashtëm Lavrov, por e vetmja gjë që kemi parë nga Moska është brutaliteti dhe agresioni ndaj popullit të Ukrainës.”
Ekzistojnë shumë ndasi midis vendeve të G20-s, pas komenteve të Kinës përpara samitit.
Të mërkurën, Kina nisi një sulm të ashpër ndaj SHBA-së dhe NATO-s, vetëm disa ditë përpara se Blinken dhe ministri i jashtëm kinez të takohen në Bali.
Uashingtoni "i respekton rregullat ndërkombëtare vetëm ashtu siç e sheh të arsyeshme," u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian. Ai tha se "i ashtuquajturi ligj ndërkombëtar i bazuar në rregulla është në fakt një rregull familjar i bërë nga një pjesë e vogël e vendeve për t'i shërbyer interesave vetjake të SHBA-së".
Presidenca e këtij viti në Samitin e G20, Indonezia është detyruar të luajë një rol më konstruktiv në skenën botërore. Vendi aziatik ka mbajtur një qëndrim neutral mbi pushtimin rus të Ukrainës, me presidentin Joko Widodo i cili ka qenë shumë i kujdesshëm në komentet e tij mbi konfliktin dhe ishte lideri i parë aziatik që vizitoi dy vendet e përfshira në luftë.
Gjatë së enjtes, ministri i jashtëm kinez, Wang u takua me homologun e tij rus për të diskutuar mbi konfliktin në Ukrainë. Dyshja u fotografua duke zhvilluar një takim dypalësh në resortin e ishullit ku po zhvillohet samiti.
Pekini ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ndërkohë që vendet perëndimore janë munduar të izolojnë financiarisht dhe politikisht qeverinë e drejtuar nga Vladimir Putin pas pushtimit të Ukrainës.
Lavrov i shpejgoi Wang-ut “mbi implementimin e misionit kryesor të operacionit ushtarak” në Ukrainë dhe ri-përsëriti retorikën e Kremlinit se synimi kryesor ishte de-nazifikimi i vendit.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian, të cilët kanë gjithashtu përfaqësues në Bali, tha se nuk do të lejonte që Moska “të abuzonte G20-n si një platformë të sajën propagandistike”, deklaroi të enjten zëdhënësja Nabila Massrali gjatë një konference për shtyp.
"Pjesëmarrja e nivelit të lartë politik të Rusisë në takimin e G20-s mund të përbëjë një kërcënim për besueshmërinë, efikasitetin dhe rëndësinë e këtij samiti," tha Massrali.