Përfundon e qetë protesta e organizuar nga Partia Demokratike në Tiranë, ku morën pjesë mijëra protestues.
E mbledhur nën parullën “Shqipëria në rrezik”, protesta e së enjtes mblodhi protestues nga mbarë Shqipëria për të demonstruar kundër qeverisë socialiste me Edi Ramën në krye, të cilën opozita e akuzon për kapje të shtetit dhe korrupsion.
Kreu i kësaj partie dhe organizator i protestës, veterani i skenës politike të Shqipërisë Sali Berisha gjatë fjalimit të tij tha se ai dhe Rama janë armiq.
“Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti, pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët dhe për t’i kthyer dinjitetin”, tha Berisha.
Që në orët e mëngjesit, protestues nga pjesët tjera të Shqipërisë i janë përgjigjur ftesës së kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha. Kjo është protesta e parë e thirrur nga Berisha pas rimarrjes së udhëheqjes së PD-së në Shqipëri, e cila u përcoll me përçarje dhe trazira në radhët e demokratëve.
“Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin e tyre madhor”, tha Berisha. Ai shtoi se “sot protestojnë fuqishëm mbarë shqiptarët kundër manipulimit të votës dhe kundër Ballkanit të Hapur”.
Sali Berisha vazhdimisht ka akuzuar kryeministrin Rama për afërsi me Serbinë dhe e ka quajtur Ballkanin e Hapur “një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e ka komentuar tubimin e demokratëve, por ka paralajmëruar më herët se do të marrë pjesë më 7 korrik në inaugurimin e ByPass-it të qytetit të Vlorës.
Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin e quajti protestën e sotme, protestë private të Sali Berishës. Elisa Spiropali tha se ironike është që kundërshtarët më të ashpër të qeverisë, sot janë në fakt përballë atyre që do të jenë në shesh sonte.
“Do të doja të shihja ata që po i godet kriza e jo ata që janë bashkë-aksionerë në ashpërsimin e saj, jo ata që vijnë me Range Rover e përdorin si mish për topat e luftës për pushtet me të varfrit. Do të doja të shihja qytetarët e së nesërmes, jo komunistin e fundit të Europës që kërkon të vijë sërish në pushtet. Pi ujë Sali kudo të jesh, se është vapë e të pret një pasdite e lodhshme në protestën vetmitare dhe private. Po kërkon të shpikësh vetveten, por ti e di dhe vetë që uji yt ka sosur”, tha Spiropali nga foltorja e Kuvendit.
Berisha është zotuar të rikthejë partinë demokratike në pushtet pasi kjo e fundit humbi në tre zgjedhjet e fundit parlamentare. Por partia e tij është përfshirë nga grindjet e brendshme pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken vitin e kaluar i ndaloi Berishës dhe të afërmve të tij të afërt të hynin në SHBA për “akte korruptive që minuan demokracinë në Shqipëri” gjatë mandatit të tij si kryeministër në vitet 2005-2013.
Përplasjet politike në Shqipëri vine mes trazirash në Ballkan dhe një polarizimi në rritje ne rajon.
Ndonëse nuk janë të ndërlidhura, protestat në Shqipëri pasojnë protestat e dhunshme nga opozita në Maqedoninë e Veriut, tensionet politike që po lëkundin qeverinë e pakicës në Mal të Zi dhe paralajmërimeve për protesta në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku kriza politike mes tre komuniteteve pengon qeverisjen e vendit.