I dërguari i Kinës për bisedimet tregtare me Uashingtonin ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me tarifat amerikane ndaj importeve kineze.
Zëvendëskryeministri i Kinës, Liu He, i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të martën me sekretaren amerikane të Thesarit, Janet Yellen, bëri të ditur Ministria kineze e Tregtisë, por nuk dha asnjë tregues se është arritur ndonjë përparim rreth zgjidhjes së mospajtimeve tregtare.
Zyrtari kinez dhe sekretarja Yellen po ashtu kanë biseduar për ekonominë globale dhe për problemet në zinxhirin e furnizimeve, tha ministria kineze.
“Pala kineze ka shprehur shqetësimet lidhur me çështjet sikurse anulimi i tarifave dhe sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara ndaj Kinës dhe trajtimi i drejtë i ndërmarrjeve kineze”, u tha në deklaratë.
Deri më tani nuk ka ndonjë reagim për këtë bisedë nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se më 18 qershor se ai ishte duke vendosur nëse do të anulojë disa tarifa ndaj importeve kineze që ishin vendosur nga paraardhësi i tij, Donald Trump, që nxitën mosmarrëveshje të mëdha mbi ambiciet teknologjike të Pekinit dhe suficitit tregtar.
Sekretarja Yellen ka bërë thirrje për eliminimin e disa prej këtyre tarifave me qëllim që të ulet inflacioni në SHBA. Zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë edhe përfaqësuesen për tregti, Katherine Tai, kanë shprehur shqetësime lidhur me largimin e tarifave pasi Kina ka dështuar që të përmbushë disa prej pretimeve që të blejnë më shumë mallra amerikane.
Të dërguarit për tregti të të dy qeverive bisedojnë vazhdimisht përmes telefonit apo video-lidhjeve, por ende nuk kanë njoftuar për plane të ndonjë takimi kokë më kokë.