Ndërlidhjet

Assange apeloi vendimin për ekstradim në SHBA


Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange në një furgon burgu, rrugës për në Gjykatën e Westminsterit në Londër, më 20 dhjetor 2019.
Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange në një furgon burgu, rrugës për në Gjykatën e Westminsterit në Londër, më 20 dhjetor 2019.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange ka apeluar në Gjykatën Supreme në Londër, për të bllokuar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), tha vëllai i tij, të premten.

Autoritetet amerikane po kërkojnë 50-vjeçarin Assange për 18 akuza, duke përfshirë akuzën për spiunazh, e cila ka të bëjë me publikimin në WikiLeaks të sasive të mëdha të të dhënave të klasifikuara ushtarake amerikane dhe kabllogrameve diplomatike, për të cilat Uashingtoni ka thënë se kanë rrezikuar jetë.

Muajin e kaluar, ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel miratoi ekstradimin e tij në SHBA. Zyra e saj tha se gjykatat britanike kishin vendosur se ekstradimi i Assange nuk ishte i papajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore dhe se ai do të trajtohej në mënyrë të përgjegjshme.

Ekipi ligjor i Assange e apeloi vendimin në Gjykatën Supreme, konfirmoi vëllai i tij Gabriel Shipton. Gjykata duhet të miratojë ankesën, por çështja ligjore ka të ngjarë të zvarritet me muaj.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë australiane që të ndërhyjë në këtë rast menjëherë, për t’i dhënë fund këtij makthi”, tha Shqipton për Reutersin, marrë parasysh që Julian është i lindur në Australi.

Assange kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për publikimin e dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe kabllogrameve diplomatike dhe përballet me 18 akuza, përfshirë spiunazhin.

Në vitin 2010, WikiLeaks i tij publikoi qindra mijëra dokumente dhe dosje diplomatike që zbulonin krimet e luftës të kryera nga trupat amerikane gjatë operacioneve ushtarake në Afganistan dhe Irak.

Shtetet e Bashkuara thonë se me rrjedhjen e të dhënave është shkelur ligjin dhe janë rrezikuar jetë, ndërsa Assange beson se rasti është i motivuar politikisht.

Assange, i cili mohon të ketë kryer ndonjë krim, ka qenë në burgun Belmarsh të Londrës që nga viti 2019. Ai u arrestua pasi u dëbua nga ambasada e Ekuadorit në Londër, për shkelje të kushteve të dorëzanisë.

Ai hyri në ambasadë në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballej me akuza për sulm seksual, të cilat i mohoi. Akuzat kundër tij në Suedi janë hequr ndërkohë.

Ai kaloi shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër, e cila gjithashtu i dha nënshtetësinë ekuadoriane. Pasi presidenti ekuadorian Lenin Moreno, në prill të vitit 2019, njoftoi në Twitter se Ekuadori kishte marrë një “vendim sovran për të tërhequr azilin”, policia britanike arrestoi themeluesin e WikiLeaksit.

Nëse gjykohet në Shtetet e Bashkuara, Assange mund të përballet me 175 vjet burg për marrjen dhe publikimin e dokumenteve sekrete.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG