Të paktën 50 persona, të cilët besohet se kanë qenë migrantë, janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në një paralagje të San Antonios në Teksas.
Ministria e Jashtme e Meksikës ka konfirmuar se 22 meksikanë, shtatë shtetas të Guatemalas dhe dy nga Hondurasi, janë në mesin e të vdekurve.
Një zjarrfikës ka thënë se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, janë dërguar në spital.
Të mbijetuarit kanë qenë “të nxehtë në prekje” dhe kanë vuajtur nga nxehtësia e madhe.
San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, është rrugë kryesore transiti për kontrabanduesit e njerëzve.
Trafikuesit zakonisht përdorin kamionë për të transportuar migrantët pa dokumente, pasi të kenë kaluar në SHBA.
“Ata kanë pasur familjet me vete.. me siguri kanë qenë në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë kryetari i San Antonios, Ron Nirenberg.
“Është ngjarje e tmerrshme, tragjedi njerëzore”.
Autoritetet kanë arritur në vendin e ngjarjes pas raportimeve për një trup të vdekur, ka thënë shefi i zjarrfikësve në San Antonio, Charles Hood.
“Ne nuk është dashur të hapim një kamion dhe të shohim gjithë ata trupa aty. Asnjëri prej nesh nuk ka ardhur në punë duke imagjinuar diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, makina që është braktisur nga shoferi, nuk ka pasur kondicioner dhe as ujë të pijshëm brenda.
Tre njerëz janë në mbajtje dhe hetimet janë duke u kryer nga agjentët federalë.
Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, departamenti i të cilit ka nisur hetimet, ka thënë se “trafikuesit e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk kanë parasysh njerëzit e cenueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin dhe për të përfituar”.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.
Beto O'Rourke, kandidati demokrat që garon kundër Abbotit, ka thënë se raportimet janë të rënda dhe ka bërë thirrje për “shkatërrim të rrjeteve të kontrabandës dhe zëvendësim të tyre me rrugë të gjera për migrim ligjor”.
Imigrimi është çështje sfiduese në politikën e Shteteve të Bashkuara.
Në muaj maj, autoritetet amerikane kanë regjistruar rekord të personave pa dokumente, të cilët janë arrestuar pas kalimit të kufirit nga Meksika.
Shumë prej tyre kanë qenë duke udhëtuar në rrugë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Për t’i ikur varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, shumë migrantë pa dokumente përfundojnë duke paguar shuma të mëdha parash për kontrabanduesit, ashtu që t’i dërgojnë në kufirin amerikan.
Në vitet e fundit është raportuar për disa raste kur migrantët kanë vdekur në rrugë e sipër, mirëpo asnjë nuk i ngjan këtij të fundit.
Klima në San Antonio është e ngrohtë në muajt e verës.
Në ditën e incidentit, ky qytet ka regjistruar temperaturë prej 39.4 gradësh Celsius.