Ndërlidhjet

Rusia i premton Bjellorusisë raketa me kapacitet bërthamor


Sistemi raketor, Iskander-M.
Sistemi raketor, Iskander-M.

Rusia do t’i dërgojë aleates së saj, Bjellorusisë, sisteme raketore me rreze të shkurtër, por me kapacitet bërthamor, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai ka thënë se sistemet Iskander-M “mund të nisin raketa balistike dhe lundruese, si konvencionale, ashtu edhe të llojit bërthamor”.

Sistemet mund të përshkojnë deri 500 kilometra.

Tensionet në mes të Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, prej kur Putin ka marrë vendim për të pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.

Putin ka bërë disa herë referenca për armët bërthamore prej atëherë.

Disa i kanë interpretuar deklaratat e tij si paralajmërim për shtetet e Perëndimit që të mos përfshihen në luftë.

Duke folur në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Rusia do të ndihmojë në modifikim të aeroplanëve luftarakë bjellorusë SU-25, në mënyrë që ata të mund të bartin armë bërthamore.

Armët bërthamore: Mjet kërcënimi apo paqeje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:39 0:00

Putin i ka bërë këto deklarata si përgjigje ndaj kërkesës së liderit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenka.

Raketat Iskander tashmë janë pozicionuar në Kaliningrad, një enklavë e vogël ruse mes anëtareve të NATO-s, Lituanisë dhe Polonisë.

Të dy liderët kanë diskutuar edhe vendimin e Lituanisë për të parandaluar bartjen e disa mallrave nga dhe drejt Kaliningradit – një hap që ka zemëruar Moskën.

Lukashenka ka thënë se vendimi i Lituanisë “ka qenë një lloj deklarate e luftës” dhe hap “i papranueshëm”.

Çeliku dhe disa mallra ruse janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, të vëna ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës.

Lituania ka thënë se masat që ka marrë ajo, prekin vetëm 1 për qind të transitit të mallrave ruse, duke hedhur poshtë deklaratat ruse për “bllokim” të Kaliningradit.

Severodonjecku në duart e Rusisë

Ndërkohë në Kiev është raportuar për disa shpërthime në mëngjesin e së dielës, sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko.

“Ambulancat dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar. Në dy ndërtesa është duke vazhduar kërkimi dhe evakuimi”, ka shtuar ai.

Agjencia e lajmeve, AFP ka raportuar se është goditur një kompleks residencial.

Të shtunën, Ukraina ka thënë se forcat ruse kanë “pushtuar plotësisht” qytetin kyç lindor Severodonjeck, pas disa javëve të luftimeve të ashpra.

Marrja e qytetit nënkupton që Rusia tani kontrollon gati gjithë rajonin Luhansk dhe një pjesë të rajonit fqinj, Donjeck – të dyja rajonet njihen si Donbas.

Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar për kthim të “të gjitha qyteteve tona” të pushtuara nga Rusia.

Pushkët speciale të Ukrainës kundër dronëve rusë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Mirëpo ai ka thënë se lufta me Rusinë ka hyrë në një fazë të vështirë emocionale, dhe ai nuk e di edhe sa shpërthime dhe vdekje tjera do të ketë.

Të premten në mbrëmje, Rusia ka nisur një mori raketash me shënjestra në veri dhe perëndim të Ukrainës.

Të paktën tre njerëz janë vrarë dhe më shumë mund të kenë mbetur nën rrënoja në qytezën Sarni, në perëndim të Kievit, ka thënë një zyrtar lokal.

Disa prej raketave janë nisur nga Bjellorusia, ka thënë Ukraina.

Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, mirëpo ushtria e saj nuk është përfshirë zyrtarisht në konflikt.

Shërbimi i inteligjencës në Ukrainë ka thënë se sulmet me raketa janë pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të përfshirë Bjellorusinë në luftë.

Marrja e kontrollit të Severodonjeckut nga forcat ushtarake ruse vjen në kohën e një jave të ngjeshur të diplomacisë.

Presidenti amerikan Joe Biden udhëton në Gjermani për Samitin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7), të përcjellë më pas nga bisedimet me NATO-n.

Në muajt e fundit, aleanca perëndimore ka treguar shenja të tendosjes dhe lodhjes, mirëpo të shtunën, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se Ukraina mund të fitojë betejën kundër Rusisë.

“Tani nuk është koha për t’u dorëzuar për çështjen e Ukrainës”, ka thënë ai.

Të shtunën, presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, i cili pritet të marrë pjesë në G7, ka thënë se lideri ukrainas dhe ai rus, duhet të nisin dialogun.

“Lufta duhet të përfundojë dhe zinxhiri i furnizimit me ushqim duhet të riaktivizohet”, ka thënë ai.

Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave, dhe konflikti i vazhdueshëm vetëm ka vënë në pah brishtësinë e zinxhirit global të furnizimit me ushqime, kur dy shtetet kryesore janë jashtë tregut.

Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit.

Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 për qind të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 për qind të luleve të verdha për vajra.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG