Ndërlidhjet

Biden nënshkruan ligjin për kontroll të armëve


Presidenti amerikan Joe Biden.
Presidenti amerikan Joe Biden.

Presidenti amerikan Joe Biden, e ka shndërruar në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme ka zgjeruar të drejtat për armët.

“Kjo është ditë madhështore”, ka thënë Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Me dëshirën e Zotit, ky ligj do të ruajë shumë jetë”.

Gjykata Supreme ka deklaruar për herë të parë të enjten se Kushtetuta amerikane mbron të drejtën e një individi për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.

Kontrolli i armëve është kthyer tash e një kohë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.

Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.

Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.

Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.

Biden ka përsëritur kritikat për vendimin e marrë nga Gjykata Supreme të premten, e cila ka eliminuar të drejtën kushtetuese për abort.

Ai ka thënë se administrata e tij do të fokusohet te vendet që do të zbatojnë këtë vendim dhe të sigurohet se ato nuk do t'i shkelin ligjet tjera.

Si ishte marrë vendimi për abortin?

Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër.

Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’iu dhënë fund shtatzënive.

Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë, mirëpo e ka lejuar atë procedurë në disa raste edhe në tremujorin e dytë.

Përmbysja e këtij vendimi ka rezultuar me protesta masive në shumë shtete amerikane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG