Ndërlidhjet

Ukraina dhe Moldavia marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në BE


Nga e djathta, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, Bruksel 23 qershor 2022.
Nga e djathta, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, Bruksel 23 qershor 2022.

Udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter.

"Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së", shkroi Michel në Twitter.

Pas vendimit ka reaguar presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili ka shkruar në Twitter se e ardhmja e Ukrainës është në BE.

“Përgëzoj sinqerisht vendimin e liderëve të BE-së për dhënien e statusit kandidat. Është një moment unik dhe historik në marrëdhëniet tona. Mirënjohës ndaj Charles Michel dhe liderëve të BE-së për mbështetje. E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, tha ai.

Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe fqinji i ngushtë, Moldavia, kanë lobuar për muaj të tërë për të nisur procesin e gjatë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh.

Zelensky ia kishte bërë këtë thirrje BE-së, duke thënë që kjo do të përbënte një "përgjigje të fuqishme" ndaj pushtimit të paprovokuar të Rusisë.

Gjeorgjia, e cila gjithashtu aplikoi për anëtarësim në BE në fillim të këtij viti, u njoh si një anëtare "perspektive", tha Michel në Twitter.

BE-ja është "gati të japë statusin e kandidatit sapo të përmbushen prioritetet e përcaktuara", tha Michel.

Kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë kanë qenë në krye të agjendës në Samitin e BE-së.

"Këshilli Evropian njeh perspektivën evropiane të Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë. E ardhmja e këtyre vendeve dhe qytetarëve të tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian", thuhet në draftin e fundit të deklaratës përfundimtare të samitit, një kopje të së cilës e ka parë Radio Evropa e Lirë.

"Përparimi i çdo vendi drejt Bashkimit Evropian do të varet nga merita e tij në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, duke marrë parasysh kapacitetin e BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj", thuhet tutje në dokument.

Drafti përfundimtar përsërit, gjithashtu, thirrjen e bllokut për hetime mbi krimet e mundshme të luftës të kryera në Ukrainë dhe thotë se blloku mbetet "i përkushtuar fort" për të ofruar mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe për të "punuar me shpejtësi" për rritjen e një mbështetjeje të tillë.

"E drejta ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë trajtimin e të burgosurve të luftës, duhet të respektohet. Ukrainasit, veçanërisht fëmijët, të cilët janë larguar me forcë në Rusi duhet të lejohen menjëherë të kthehen të sigurt", thotë dokumenti.

“Rusia, Bjellorusia dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet e tjera më të rënda do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Dhënia e kandidaturës për Ukrainën, "sinjal i fortë" për Rusinë

Dhënia e kandidaturës në BE për Ukrainën dërgon një "sinjal shumë të fortë" për Rusinë se blloku mbështet aspiratat pro-perëndimore të Kievit në vazhdën e pushtimit të Moskës, tha të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron.

Udhëheqësi francez e përshëndeti këtë hap si një shenjë të "një Evrope të fortë dhe të bashkuar" përballë agresionit të Rusisë kundër fqinjit të saj.

Para se të nisë punën samiti kryesor i pasdites, zyrtarët e BE-së u takuan paraditen e 23 qershorit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian u përsëritën qartë dhe pa mëdyshje gjatë paradites së të enjtes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për perspektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo.

Megjithatë, në konkluzat e samitit nuk përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit.

Kovaçevski të enjten tha se e ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë i pranueshëm, duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pakënaqësinë me mospërparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai.

Samiti do t’i vazhdojë punimet edhe më 24 qershor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG