Projektligji, përmes të cilit do të mundësohej tërheqja e deri në 30 për qind e mjeteve nga Fondi Pensional, i njohur si Trusti, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Pesëdhjetë e shtatë deputetë kanë votuar kundër, 44 për dhe një abstenim.
Ky projektligj nuk ka marrë votat e partisë në pushet Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që është votuar nga deputetët e partive opozitare.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës se “nuk munden që një problem të së tashmes ta zgjidhin me rrënim të së ardhmes”.
Deputetët e partive opozitare në pushtet kanë arsyetuar projektligjin që mundëson tërheqjen e kursimeve pensionale për shkak si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike dhe sociale të qytetarëve nga rritja e madhe e çmimeve.
Ata kanë thënë po ashtu se tërheqja e kursimeve pensionale është kërkesë e qytetarëve.
Derisa deputetë nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje të cilët ishin kundër tërheqjes së këtyre mjeteve kanë thënë se është precendet i rrezikshëm dhe shkatërron strukturën pensionale të shtetit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër një tërheqje tjetër të mjeteve të Trustit.
Ky projektligj ishte dorëzuar më 9 mars në Kuvendin e Kosovës nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.
Projektligj parashihte që kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve. Ata që kanë deri 20 mijë euro - 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë - 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh -15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro - 10 për qind të shumës.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale sipas legjislacionit janë të rregulluar në atë formë se mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare.