Ndërlidhjet

Raportime të rrejshme për bomba në disa shkolla në Kosovë


Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një shkollë në Kosovë, pas raportimeve për bomba.
Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një shkollë në Kosovë, pas raportimeve për bomba.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se kërcënimet për bomba të vendosura në disa shkolla kanë qenë të rrejshme.

Në një njoftim për media PK-ja ka thënë se këto kërcënime janë bërë nëpërmjet formës elektronike dhe linjave telefonike mëngjesin e së enjtes për rreth 30 lokacione në rajone të ndryshme.

PK-ja ka bërë të ditur se ka evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, ndërsa do të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin e sigurisë në nivel vendi, si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriu, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga mëngjesi i sotëm janë duke pranuar raportime anonime për bomba në institucionet arsimore, kryesisht shkollat fillore.

"Nxënësit, të punësuarit janë evakuuar, si dhe është siguruar vendi", tha Radoviq, duke shtuar se alarme për bomba kishin arritur në shkollat në të gjitha komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë funksionojnë në sistemin serb.

Ndërkohë ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeveri të Serbisë. Ajo ka thënë se në të gjitha shkollat e zonave me shumicë serbe në Kosovë ka pasur kërcënime anonime për bomba.

“Në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë, nxënësit do të referohen në klasa online derisa të kontrollohen pretendimet për kërcënime, dhe puna e shkollave në komunitetet serbe tani varet nga efikasiteti i kontrollit nga Policia e Kosovës në të gjithë shkollat”, thuhet në deklaratë.

Alarm për bombë ka pasur edhe në shkollën fillore “Kral Millutin” në Graçanicë afër Prishtinës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Vlladimir Millkiq, drejtor i shkollës.

“Sot nuk do të ketë mësime, do të mbahen online”, ka thënë Milkiq.

Ai ka shtuar se Zyra “dënon veprime të tilla anti-civilizuese, pengimin e punës së shkollave dhe ngacmimin e fëmijëve që ndjekin këto institucione arsimore”.

Më herët, raporte anonime iu dërguan me e-mail institucioneve arsimore që punojnë sipas sistemit të Kosovës. Të gjitha kanë rezultuar të rrejshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG