Reuters
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mund ta gjejë veten pa shumicë qeverisëse gjatë mandatit të dytë presidencial dhe mund të privohet nga aftësia për të çuar përpara agjendën e tij të reformave ekonomike. Kjo për faktin se një aleancë e re e krahut të majtë doli më mirë në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 12 qershor.
Rundi i dytë mbahet më 19 qershor. Më poshtë mund të mësoni për skenarët e mundshëm që mund të prodhojnë këto zgjedhje:
Shumica absolute
Në këtë skenar, të frikësuar nga paralajmërimet gjithnjë e më të ashpra kundër platformës së majtë radikale të Jean-Luc Melenchon, votuesit zgjedhin më shumë se 289 kandidatë në Parlament të mbështetur nga Macroni.
Nëse partia e tij fiton zgjedhjet, ai do të jetë i lirë që të shtyjë përpara agjendën, që përfshin edhe një reformë të kontestuar të pensioneve.
Megjithatë, presidenti Macron ka pak të ngjarë që ta ketë të lehtë shtyrjen e legjislacionit në Parlament sesa e kishte gjatë mandatit të tij të parë.
Ish-kryeministri i Francës, Edouard Philippe, i cili besohet gjerësisht se ka ambicie presidenciale, ka krijuar partinë e tij, që zyrtarisht është pjesë e shumicës së Macronit dhe ka të ngjarë që do të dëshirojë të vendosë kur bëhet fjalë për legjislacionin. Për shembull, ai mund të shtyjë përpara politika më konservatore mbi pensionet dhe deficitet publike.
Me një shumicë të ngushtë, edhe një kontingjent i vogël i ligjvënësve mund të ndihmonte Philipen të bëhej njeriu kryesor që do të përcaktonte politikat gjatë mandatit të dytë të Macronit.
Parlament me shumicë të thjeshtë
Në këtë skenar, nëse koalicioni i Macronit dështon të arrijë shifrën prej 289 deputetësh, nuk do ta kishte shumicën e ulëseve në Parlament, pavarësisht se do të ishte partia më e madhe në organin legjislativ.
Nëse ndodh ky skenar, do të ishte shumë i pazakonshëm për Francën pasi nuk ka rregulla institucionale për të trasuar rrugën për ndërtimin e një koalicioni, siç është rasti në shtetet si Belgjika dhe Holanda.
Macronit ndoshta do t’i duhet të bëjë koalicion me parti të tjera, me gjasë me republikanët e qendrës së djathtë. Një koalicion i tillë do të përfshinte dhënien e posteve qeveritare te rivalët e republikanëve dhe ndryshim të agjendës së Macronit, në këmbim të mbështetjes në Parlament.
Macron, po ashtu, do të mund të tentonte që të merrte mbështetjen e disa ligjvënësve duke iu ofruar përfitime për t’i inkurajuar që të shkëputen nga partitë e tyre.
Nëse do të dështonte të bindte ligjvënës, atëherë Macron do të detyrohej që të negocionte në Parlament çdo legjislacion, duke negociuar mbështetjen e qendrës së djathtë shembull për reformat e tij ekonomike, dhe në të njëjtën kohë të fitonte mbështetjen e qendrës së majtë për disa reforma sociale.
Një gjë e tillë do të ngadalësonte reformat dhe do të mund të çonte në një ngërç politik në shtetin ku ndërtimi i konsensusit dhe puna e koalicionit nuk është e rrënjosur në kulturën politike.
Por, presidenti Macron edhe në këtë skenar do të kishte disa mundësi. Për shembull, ai mundet që në çdo kohë të shpallë zgjedhje të parakohshme. Ose të përdorë nenin 49.3 të Kushtetutës që kërcënon me zgjedhje të reja nëse një projektligj nuk miratohet.
Sipas sondazheve, një Parlament me shumicë të thjeshtë do të jetë rezultati më i mundshëm i zgjedhjeve.
Bashkëjetesa
Në këtë skenar, Melenchon do të sfidonte sondazhet dhe aleanca e tij do të fitonte shumicën në Asamblenë Kombëtare. Sipas Kushtetutës franceze, Macron do të duhej të emëronte një kryeministër që do të kishte mbështetjen e Dhomës së Ulët dhe “bashkëjetesa” do të fillonte.
Në këtë situatë, Macron do të detyrohej që të zgjidhte për kryeministër një person të propozuar nga shumica.
Megjithatë, nëse Macron refuzon që ta emërojë Melenchonin në postin e kryeministrit, atëherë do të prodhohej një krizë për fuqinë në Parlament, me një shumicë e cila me gjasë do të refuzonte çdo kandidat tjetër të propozuar nga Macroni.
Skenari i bashkëjetesës do ta linte Macronin me pak leva të pushtetit në duart e tij dhe do ta pengonte agjendën e tij të reformave.
Presidenti, edhe në këtë skenar, do të udhëhiqte politikën e jashtme, do të negocionte traktatet ndërkombëtare, por krijimi i politikave ditore do të ishte në duart e Qeverisë.
Në Francën e pasluftës ka pasur disa periudha të bashkëjetesës. Ato kryesisht janë përcjellë me tensione institucionale ndërmejt presidentit dhe kryeministrit, por befasisht kishin qenë periudha të pëlqyera nga votuesit.
Por, sondazhet sugjerojnë se skenari i bashkëjetesës ka më së paku gjasa që të ndodhë në këto zgjedhje.