Vazhdimi i vetos bullgare, që i pamundëson Maqedonisë së Veriut nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, edhe më shumë do ta zbehë vullnetin e realizimit të procesit të reformave, që janë përcaktuar si detyrë për vendin nga ana e Brukselit. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështjen e integrimeve, duke shtuar se gjasat janë shumë të vogla për tërheqjen e vetos deri në mbajtjen e samitit të BE-së më 23 qershor.
Shpresat mbeten edhe më të vogla pasi partia bullgare “Ka një popull të tillë”, e udhëhequr nga Sllavi Trifonov, të mërkurën bëri të ditur se largohet nga koalicioni qeverisës, duke tërhequr dhe tre ministrat e partisë në fjalë, përfshirë dhe Ministren e Jashtme bullgare, Teodora Gençovska.
Sllavi Trifonov, duke sqaruar arsyet e braktisjes së Qeverisë së kryesuar nga kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se krahas mosmarrëveshjeve rreth rishikimit të buxhetit të shtetit bullgar, largimi ka të bëjë me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht mundësisë së heqjes së vetos nga ana e kryeministrit Petkov.
Me largimin e kësaj partie, kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov, humbet shumicën parlamentare.
Por, edhe kundër kësaj, Petkov ka thënë se nuk do të lejojë që Bullgaria të futet në një spirale të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Gjatë vitit të kaluar, në Bullgari tri herë u organizuan zgjedhje parlamentare, pasi asnjëra nga partitë fituese nuk arrinte të formonte qeverinë.
Ish-kryeministri Naumoski thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha shpresat mbeten të varura tek angazhimi i zyrtarëve të lartë amerikanë për zhbllokimin e procesit të integrimeve dhe veçanërisht angazhimin personal të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili gjatë vikendit do të realizojë takim në Shkup dhe Sofje me drejtuesit e këtyre dy vendeve.
“Shohim se gjatë javëve të kaluara kemi aktivitet të përforcuar nga ana e kryesimit francez pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale franceze, angazhim personal të presidentit Macron, angazhim nga përfaqësues të lartë në administratën amerikane, komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin Radev, me kryeministrat e të dy shteteve, si dhe një angazhim të përforcuar nga ana e partnerëve të tjerë evropianë. Tani kemi dhe vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, edhe në Shkup edhe në Sofje, me çka besoj se do të bëhet përpjekje që të shteren të gjitha mundësitë që të ecet përpara”, thotë Naumovski.
Nga ana tjetër, Mersel Bilalli, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin FON në Shkup, thotë se shtyrja e bisedimeve për në nëntor mbetet varianti më i besueshëm.
“Varianti më i besueshëm është se nuk ka kohë të mjaftueshme që të gjendet zgjidhje pasi pozicionet momentale të Sofjes dhe Shkupit zyrtarë janë të larguara, pa marrë parasysh se presioni është shumë i fuqishëm nga ana e faktorit ndërkombëtar, kështu që mbetet nëntori apo dhjetori të gjendet zgjidhje. Varianti i dytë mbetet ekzistimi i një marrëveshjeje të padukshme mes partnerëve të koalicionit qeverisës bullgar, përkatësisht me partinë ‘Ka një popull të tillë’, që largohet nga Qeveria, por e mbështet qeverinë e pakicës. Pra, të mbështesë heshtje tërheqjen e vetos, por të mos marrë përgjegjësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bilalli.
Naumovski dhe Billali vlerësojnë se bllokimi i vazhdueshëm i perspektivës evropiane përmes vetos bullgare, do të paraqesë një goditje të fortë për realizimin e procesit të reformave.
“Nëse edhe një herë përballemi me veto, shumë vështirë do të mund të ruhet motivimi, si tek organet e shtetit, ashtu dhe te të gjithë faktorët relevantë të vendit për evropianizimin e të gjitha proceseve shoqërore, pasi kjo politikë e kushtëzimit e cila tashmë është e njohur mirë për ne – pra, flas për politikat kushtetuese nga ana e Bashkimit Evropian - duket qartë se nuk funksionon”, thekson Naumovski.
Mersel Billalli konsideron se reformat mbeten të përhumbura në sirtarët e institucioneve pasi çdo prolongim bën që edhe realizimi i tyre të mbetet në vendnumëro.
“Bisedimet për momentin me Bashkimin Evropian janë vetëm një farsë, pra vetëm për sy e faqe pasi objektivisht Bashkimi Evropian ka shumë probleme të veta të brendshme dhe nuk është i gatshëm që në mënyrë efektive të bisedojë me vendet tjera, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht kësaj, ne duhet t’i bëjmë reformat për veten tonë dhe në momentin që BE-ja do të sanojë situatën, atëherë ne do të jemi në avantazh pasi procesi i bisedimeve do të ecë më shpejt”, vlerëson Bilalli.
Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, thotë se qytetarët e vendit nuk mund të mbeten peng i pritjeve para çdo samiti të Bashkimit Evropian.
Ai thekson se tashmë janë realizuar të gjitha kërkesat që ishin shtruar si detyrim nga Brukseli.
Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.
Facebook Forum