Ndërlidhjet

Duda: Bisedat me Putinin sikur të flisje me Hitlerin


Një baner ku shihet portreti i Hitlerit dhe i Putinit gjatë një proteste kundër luftës në Ukrainë. Barcelonë, 24 shkurt 2022.
Një baner ku shihet portreti i Hitlerit dhe i Putinit gjatë një proteste kundër luftës në Ukrainë. Barcelonë, 24 shkurt 2022.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, kritikoi liderët e Francës dhe Gjermanisë për bisedat e tyre telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se këto telefonata i duken sikurse të bisedonin me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, raportoi e përditshmja gjermane, Bild.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë mbajtur biseda të ndara telefonike me Putinin, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Macron veçanërisht ka zemëruar ukrainasit, kur ka deklaruar se Rusia nuk duhet të “poshtërohet” në mënyrë që të ruhen shanset për zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Duda gjatë një interviste për Bild tha se diskutime të tilla vetëm kanë legjitimuar luftën e paligjshme në Ukrainë.

“A ka folur dikush kështu me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore?”, tha Duda.

“A ka thënë dikush që Adolf Hitleri duhet të dalë faqebardhë? Se duhet të veprojmë në atë mënyrë që të mos e poshtërojmë Adolf Hitlerin? Unë nuk kam dëgjuar diçka të tillë”, shtoi presidenti polak.

Lufta në Ukrainë, që Moska e cilëson “operacion të posaçëm ushtarak”, ka lënë të vdekur mijëra civilë dhe mbi 7 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi.

Ukraina dhe aleatët perëndimorë thonë se Rusia ka nisur luftë të paprovokuar për të pushtuar vendin.

Në një telefonatë të përbashkët me Putinin më 28 maj, Scholz dhe Macron i bën thirrje atij që të lirojë 2,500 luftëtarët ukrainas të fabrikës Azovstal në Mariupol, dhe të bisedojë direkt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Muajin e kaluar, Zelensky hodhi poshtë sugjerimet e bëra nga disa shtete perëndimore se Kievi duhet të japë territor dhe të bëjë koncesione të tjera në mënyrë që t’i jepet fund luftës, duke thënë se këto ide i ngjasojnë me përpjekjet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore për të bindur Gjermaninë Naziste që t’i jepte fund luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG