Ndërlidhjet

SHBA-ja në bisedime me shtetet evropiane për naftën ruse


Një protestë në Bruksel kundër gazit dhe naftës ruse.
Një protestë në Bruksel kundër gazit dhe naftës ruse.

Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në “mënyrë jashtëzakonisht aktive” në diskutime me shtetet evropiane, bisedime që kanë për synim të gjejnë mënyra për të kufizuar të ardhurat ruse nga nafta, tha sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

Zyrtarët amerikanë synojnë që nafta ruse të vazhdojë të arrijë në tregjet globale në mënyrë që të mos rritet çmimi që do të mund të shkaktonte recesion në mbarë botën, tha Yellen.

“Por, absolutisht objektivi është të kufizohen të ardhurat që shkojnë në Rusi”, tha ajo para një komisioni të Senatit më 7 qershor.

Sipas saj, ka disa mënyra që mund të arrihet ky synim, përfshirë edhe që blerësit e naftës të bashkohen dhe të kufizojnë çmimet që i paguajnë Moskës.

Javën e kaluar, SHBA-ja mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian që të zvogëlojë importet e naftës ruse për më shumë se dy të tretat. Ky vendim ishte pjesë e pakos së gjashtë të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Zyrtarët e BE-së besojnë se ky vendim i bllokut evropian do të ulë çmimin që Moska mund të kërkojë për naftën e saj të papërpunuar dhe do të zvogëlojë sasinë e naftës së papërpunuar që Rusia mund të shesë jashtë vendit.

Gjatë fjalimit të saj para Komitetit të Financave të Senatit, Yellen tha se prodhuesit e naftës në SHBA kishin dështuar që të parashikonin kërkesën e lartë për këtë produkt dhe rritjen e çmimeve, ndërsa vendi po dilte nga kufizimet e imponuara nga pandemia e koronavirusit, por tani këto kompani kanë stimuj për të rritur prodhimin.

Ajo shtoi se është “praktikisht e pamundur” që SHBA-ja të izolojë veten nga tronditjet në tregun e naftës, që janë shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, prandaj Yellen tha se është e rëndësishme që shteti të zhvendosë përqendrimin drejt energjisë së ripërtërishme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG