Ndërlidhjet

Yellen: SHBA-ja përballet me nivele të papranueshme të inflacionit


Sekretarja amerikan e Thesarit, Janet Yellen.
Sekretarja amerikan e Thesarit, Janet Yellen.

Shtetet e Bashkuara përballen me “nivele të papranueshme të inflacionit” dhe nevojitet një qëndrim i duhur buxhetor për të ndihmuar në zbutjen e presionit të inflacionit pa minuar ekonominë, tha të martën sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

Në deklaratën me shkrim, të përgatitur për Komitetin e Financave të Senatit amerikan, që përmban elemente të propozimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për ligjin për shpenzimet, Yellen tha se propozimi i administratës amerikane mund të ulë koston për amerikanët, përfshirë për ilaçet dhe nismat për energji të pastër.

“Aktualisht ne po përballemi me sfida makroekonomike, përfshirë nivele të papranueshme të inflacionit, por edhe sfidat që lidhen me problemet e shkaktuara nga pandemia në zinxhirët e furnizimeve, si dhe efektet në furnizimet me naftë dhe ushqime pas luftës së Rusisë në Ukrainë”, tha Yellen.

Yellen u përball me kritika nga republikanët pasi pranoi se kishte bërë “gabim” vitin e kaluar, kur kishte parashikuar rrugën që do të merrte inflacioni dhe pritet që të ketë një përballje të ashpër me senatorët e Komitetit të Financave.

Ajo tha se Rezerva Federale është përgjegjësja e parë për të ulur nivelet e inflacionit dhe se respekton pavarësinë e këtij institucioni për të përcaktuar politikat monetare.

“Për të zbutur presionet e inflacionit pa minuar fuqinë e tregut të punës, një qëndrim i duhur buxhetor është i nevojshëm për të plotësuar veprimet e politikës monetare të Rezervës Federale”, tha ajo.

Yellen tha se propozimi i buxhetit për vitin fiskal 2023, që ka propozuar administrata Biden, do të jetë temë qendrore e paraqitjes së saj para komitetit. Ajo tha se ky propozim ofron “investime të mençura, të përgjegjshme në aspektin fiskal, parashikon ulje të deficiteve dhe tenton të ulë barrën ekonomike të borxhit”.

Ligji për shpenzimet parashihet që të financohet nga rritja e taksave për korporatat dhe personat më të pasur në SHBA.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG