Ndërlidhjet

Kuvendi nuk voton për pagën minimale – shkak mungesa e kuorumit


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të kalojë në votim projektligjin që synon rritjen e pagës minimale.

Për këtë pikë të rendit të ditës, të hënën nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

Deputetët e opozitës – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – nuk kanë arritur të çojnë përpara mocionet për shtyrje të projektligjit dhe si përgjigje kanë lëshuar sallën duke pamundësuar votimin.

Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se këtë shtyrje po e kërkojnë duke pasur parasysh protestën e veteranëve.

“Ne nuk jemi për të tensionuar situatën, por për të zgjidhur probleme. Kërkojmë që të shtyhet, të mos votohet fare në këtë pikë”, ka thënë Tahiri.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet, Armend Muja, tha se ky legjislacion synon që të adresojë problemet e asaj pjese të shoqërisë që paguhen më pak se veteranët.

“Paga minimiale është instrument i tregut të punës. Ky prioritet i dedikohet vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën mes 130 deri 170 euro. Ne po themi fillimisht na lejoni që të adresohen kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak se sa veteranët”, tha Muja.

Projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës minimale është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më herët gjatë ditës kanë nisur protesta para Kuvendit të Kosovës.

Arsyeja për pakënaqësinë e tyre është mospërfshirja e pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar në Qeverinë e Kosovës, dhe që tani pret miratimin e Kuvendit, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Momentalisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG