Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi të martën se Finlanda dhe Suedia duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre nëse është e nevojshme, për t'i përmbushur kërkesat e Turqisë dhe për të fituar mbështetjen e saj për t’iu bashkuar NATO-s, duke përforcuar kërcënimin për të vënë veton ndaj një zgjerimi historik të aleancës.
Më 13 maj, Turqia kundërshtoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO me arsyetimin se dy shtetet nordike po strehonin persona të grupeve që i përcakton si terroriste, përfshi dhe Partinë e Punës së Kurdistanit (PKK), dhe sepse ata ndalën së eksportuari armatime në Turqi në vitin 2019.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës. Në mënyrë që ato të anëtarësohen në aleancë, të 30 vendet anëtare duhet të japin aprovimin e tyre.
Mevlut Cavusoglu deklaroi se Turqia, një anëtare e NATO-s prej shtatë dekadash, nuk do të hiqte veton në rast se nuk plotësoheshin kërkesat e saj, duke nënvizuar edhe deklaratat e fundit të presidentit Taip Erdogan.
Ankaraja kërkon që Suedia dhe Finlanda të ndalojnë mbështetjen e tyre ndaj PKK dhe grupeve të tjerë, t’i ndalojë ato së organizuari evente në territorin e tyre, të ekstradojë ata persona që janë akuzuar nga Turqia për terrorizëm, të mbështesë operacionet ushtarake të Ankarasë dhe të heqë kufizimet mbi eksportin e armëve.
Finlanda dhe Suedia kërkojnë të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet negociatave, ndërsa anëtarë të tjerë të NATO-s kanë thënë se mbeten të bindur se kundërshtimet e ngritura nga Turqia - e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s - mund të kapërcehen.
Dokumentet me kërkesa
Cavusoglu deklaroi se Turqia u kishte dhënë delegacioneve finlandeze dhe suedeze dokumente ku nënvizoheshin kërkesat gjatë bisedimeve në Ankara javën e kaluar dhe se ishte në pritje të përgjigjes së tyre, duke shtuar se ai pret që aleatët të punojnë për të adresuar shqetësimet mbi sigurinë.
"A janë të pamundura kërkesat tona? Jo. Ne duam që ata të ndalojnë mbështetjen e tyre ndaj terrorizmit", tha Cavusoglu për agjencinë shtetërore të lajmeve turke Anadolu, duke shtuar se Ankaraja ishte e vetëdijshme se disa nga kërkesat e saj do të kërkonin që ligjet të ndryshoheshin.
"Ata e mendojnë në këtë mënyrë: 'meqenëse jemi shumë larg nga rajonet e terroristëve, ligjet tona janë krijuar në këtë mënyrë'. Epo, atëherë ju duhet t'i ndryshoni ato", tha ai dhe shtoi:
"Ata thonë se lejohet që organizatat terroriste të organizojë ngjarje dhe t'i valëvisin flamujt përreth. Atëherë ju duhet t'i ndryshoni ligjet tuaja".
Shtetet nordike kanë thënë se e dënojnë terrorizmin dhe janë të hapura për dialog.
Cavusoglu tha se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po punonte për këtë çështje dhe kishte propozuar mbajtjen e bisedimeve në Bruksel me të tria vendet, por theksoi se Ankaraja pret më parë që Stokholmi dhe Helsinki tui përgjigjeshin kërkesave të saj me shkrim.
“Duhet të ketë gjëra konkrete që ne të diskutojmë”, deklaroi ai.