Ndërlidhjet

BE-ja reagon ndaj vazhdimit të afërsisë mes Serbisë dhe Rusisë


Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd në janar të vitit 2019.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd në janar të vitit 2019.

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel nuk e kanë pritur mirë bisedën e fundit telefonike midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Sipas njoftimeve nga Serbia dhe Rusia, në bisedën e zhvilluar më 29 maj, Vuçiq dhe Putin kanë biseduar për vazhdimin e “partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Serbisë” dhe për furnizimin e Serbisë me naftë dhe gaz rus me çmim të volitshëm.

Kjo ndodhi edhe përkundër thirrjeve të BE-së që Serbia të mos afrohet me Rusinë, sepse, siç ka thënë më herët shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell, “të mbash lidhje të ngushta me regjimin e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE.

“Në rrethanat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, BE pret nga Serbia që si vend kandidat të mos forcojë edhe më shumë lidhjet e saja me Rusinë. Nga vendet kandidate pritet po ashtu që gradualisht të përshtatin politikat e tyre ndaj vendeve të treta me qëndrimet dhe politikat e miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.

Ai shtoi se BE-ja pret nga të gjitha shtetet kandidate që “tërësisht të përshtatin me bllokun prioritetet ligjore dhe politike, përfshirë edhe ato nga komunikata ‘RepowerEU’ që cakton ambiciet e BE-së për t’i dhënë fund importit të naftës ruse dhe produkteve të saj”.

Blloku evropian po ashtu rikujtoi se e ka ndihmuar Serbinë që të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse.

Si mesazh të rëndësishëm për Serbinë dhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në BE përmendin edhe mundësinë që të marrin pjesë në prokurimin e përbashkët të gazit.

BE-ja po ashtu rikujtoi edhe ndihmën që jep përmes planit për investime në Ballkan, që forcon sigurinë e furnizimit me energji përmes investimeve në energjinë e ripërtërishme, ndërtimin dhe rehabilitimin e korridorit elektrik Trans-Ballkanik.

“Qëllimi është që të zvogëlohet varësia nga nafta, të ndihmohen partnerët me një rrjet më të mirë të integruar të energjisë dhe qasje në burimet e shumëfishta të energjisë. Nisja e punës në interkonektorin e gazit Serbi-Bullgari, për të cilin BE-ja ka ndarë 50 milionë euro, është një hap i rëndësishëm i bllokut evropian dhe Serbisë për të siguruar diversifikim të furnizimeve të Serbisë me gaz. Në kontakte të afërta me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, po ashtu monitorojmë edhe situatën e çmimeve dhe sigurinë e furnizimit në tërë rajonin”, tha Stano.

Ndonëse në BE aktualisht nuk flasin se cilat mund të jenë pasojat konkrete për vazhdimin e raporteve të afërta midis Serbisë dhe Rusisë, burimet diplomatike thanë se kjo afërsi mund të reflektohet në procesin e bisedimeve për anëtarësim në bllok.

“Gjasat që Serbia të hapë kapituj të rinj në procesin e negociatave tani duken shumë joreale”, tha një diplomat i lartë i BE-së, i cili shtoi se “nuk pritet që në formë formale të shpallen sanksione ndaj Serbisë”.

Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në BE thanë se vazhdojnë të presin që Beogradi të mbështesë sanksionet e bllokut ndaj Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG