Ndërlidhjet

Protesta në Iran pas shembjes së ndërtesës


Ndërtesa e shembur në Abadan të Iranit.
Ndërtesa e shembur në Abadan të Iranit.

Forcat e sigurisë në Iran kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në qytetin jugperëndimor të Abadanit, ku një ndërtesë shumëkatëshe u shemb më herët gjatë javës duke vrarë 28 persona.

Rrëzimi i një pjese të madhe të ndërtesës dhjetëkatëshe, që ishte ende në ndërtim, ishte një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse të këtij lloji në Iran në vitet e fundit.

Protestuesit u mblodhën për të tretën ditë me radhë në Abadan dhe qytete të tjera të kësaj zone, që kufizohet me Irakun, raportuan mediat lokale.

Forcat e sigurisë në Abadan “përdorën gaz lotsjellës dhe shtinë në ajër pranë vendit ku u shemb ndërtesa” me qëllim që të shpërndajnë qindra protestues, të cilët po kërkojnë drejtësi dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë për ndërtesën e rrëzuar, raportoi agjencia e lajmeve Fars.

Protestuesit brohoritën “vdekje për zyrtarët e papërgjegjshëm” dhe “zyrtarët e papërgjegjshëm duhet të ekzekutohen”, raportoi agjencia Fars.

Protesta janë organizuar edhe në Bandar-e Mahshahr, Isfahan, Yazd dhe Shahin Shahr.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha më 28 maj se edhe “dy trupa janë nxjerrë” nga rrënojat e ndërtesës dhe janë dërguar për identifikim, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 28, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Ndërkaq, autoritetet e provincës Khuzestan thanë se 13 persona janë arrestuar në lidhje me incidentin, përfshirë edhe kryetarin aktual dhe dy ish-kryetarë të qytetit, raportoi IRNA.

Përmes një deklarate të publikuar më herët gjatë javës, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, bëri thirrje që të gjithë përgjegjësit të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen.

Ndërkaq, në videot amatore të postuara online, disa protestues dëgjohen duke brohoritur slogane kundër Khamenei, të tilla si “ne nuk duam lider të papërgjegjshëm”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG