Ndërlidhjet

Vuçiq paralajmëron gjëra të mëdha në nismën “Ballkani i Hapur”


Aleksandar Vuçiq dhe Dritan Abazoviq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos
Aleksandar Vuçiq dhe Dritan Abazoviq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

“Ballkani i hapur” është nisma më e mirë për popujt e Ballkanit, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiq, më 27 maj, ka postuar edhe foto nga video-konferenca e liderëve të vendeve pjesëmarrëse të këtij projekt rajonal.

“Po përgatisim gjëra të mëdha për qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, theksoi Vuçiq.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar deri më tani këtij projekti rajonal.

Mali i Zi për nisma kundër barrierave

Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit i Malit të Zi, tha më 27 maj në Beograd, se Podgorica nuk ishte kundër nismës Ballkani i Hapur.

“Çdo nismë që çon në heqjen e barrierave, qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, do të pranohet në Mal të Zi”, theksoi Gjuroviq, pas takimit me ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Tatjana Matiq, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministrja Matiq shprehu shpresën se Mali i Zi do t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

“Ne u pajtuam që se prania dhe mbështetja e Malit të Zi në atë nismë është shumë e rëndësishme”, tha Matiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, më 26 maj, tha se do t’i përgjigjet ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në samitin në Ohër.

“Çdo nismë rajonale që mund të përshpejtojë integrimin, është diçka që ne duhet ta pranojmë”, tha Abazoviq, duke shtuar se për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk ekziston alternativa.

Takimi i radhës në Ohër

Takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor, ku, siç njoftoi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, gjatë një vizite zyrtare në Shkup më 18 maj, do të prezantohet një sistem informativ i identifikimi të numrit unik për leje të punës. Qëllimi, siç tha ajo, është krijimi i një tregu të përbashkët të punës për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitro Kovaçevski, tha atëherë se nisma e “Ballkanit të Hapur” kishte kontribuar në më shumë se një miliard euro në tregtinë midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar.

Marrëveshja “Ballkani i Hapur” trashëgoi projektin e quajtur “mini-Schengen”, i cili u prezantua për herë të parë për publikun në tetor të vitit 2019 në Novi Sad, ku liderët politikë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan “Deklaratën e synimit për të krijuar një Schengen të vogël” që bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.

Në bazë të marrëveshjes së atëhershme të tri shteteve, që nga viti 2020, është arritur pajtimi për udhëtimin e shtetasve të tyre pa pasaportë, vetëm me letërnjoftim.

Në fund të korrikut të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nënshkruan në Shkup marrëveshjen për Ballkanin e Hapur, e cile, siç është paralajmëruar, me hyrjen në fuqi më 1 janar të vitit 2023, duhet të mundësojë heqjen e kontrolleve kufitare mes këtyre vendeve.

Në atë kohë u nënshkruan edhe marrëveshjet për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave, një memorandum bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës dhe një marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor.

Nisma planifikon të krijojë një treg prej 12 milionë banorësh, aq sa kanë këto tre vende së bashku, si dhe një zonë të vetme ekonomike.

Kundër përfshirjes në nismën “Ballkani i Hapur” vazhdojnë të jenë Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG