Michelle Bachelet, komisionare e Lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, ka nisur vizitën e saj gjashtëditore në Kinë në mes të paralajmërimeve nga grupet e të drejtave të njeriut dhe disa qeverive perëndimore se vizita e saj mund të lë në hije abuzimet me të drejtat e njeriut në rajonin veriperëndimor kinez të Ksinjiangut.
Turneu i saj nis në qytetin jugor të Guangzhout që do të përfshijë vizita në qytetet në Ksinjiang, Kashgar dhe Urumqi, që është kryeqyteti rajonal. Përderisa kjo vizitë pritet të përqendrohet në shkeljen e të drejtave të njeriut nga Kina dhe do të përfshijë edhe çështje të tilla si shtypja që Pekini bën ndaj Hong Kongut dhe politikat e tij në Tibet dhe Mongoli, sistemi i kampeve të internimit i krijuar nga Partia Komuniste kineze kundër popullsisë myslimane në Ksinjiang pritet të dominojë agjendën e udhëtimit.
Vizita e Bachelet shënon vizitën e parë zyrtare në Kinë nga një komisionar i lartë për të drejta të njeriut të OKB-së që nga viti 2005 dhe ndodh pas disa vjet diskutimesh me Pekinin për ta aranzhuar një vizitë të tillë. Pak detaje dihen rreth vizitës dhe çfarë Bachelet shpreson që të arrijë nga vizita, e cila ka nxitur protesta dhe reagime që thonë se Pekini mund ta përdorë këtë vizitë për tí zbutur kritikat e jashtme për të drejtat e njeriut.
Shqetësime të tilla janë ngritur nga Aleanca Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) – një grup ligjvënësish ndërpartiak ndërkombëtar – që përmes një deklarate më 20 maj, të nënshkruar nga më shumë se 40 ligjvënës nga 18 shtete të botës akuzoi Kinën se po organizon një “turne të kurdisur” që mund të dëmtojë besueshmërinë e zyrës së komisionares Bachelet.
Kina ka ndaluar mbi një milion ujgurë, kazakë, kirgizë dhe pakica të tjera myslimane në disa qendra ndalimi në Ksinjiang, rajon që kufizohet me Kazakistanin, Kirgizinë dhe Taxhikistanit. Pekini akuzohet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në këtë rajon, përfshirë edhe për krijimin e një sistemi që synon eliminimin e identiteteve kulturore të këtyre grupeve.
“Sfidon besueshmërinë që Qeveria kineze do të lejojë komisionaren e lartë të shohë çdo gjë që nuk duan që ajo të shohë, ose të lejojë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, viktimat dhe familjet e tyre të flasin me të në mënyrë të sigurt, pa mbikëqyrje dhe pa frikë nga hakmarrja”, tha përmes një deklarate, Sophie Richardson, drejtoreshë për Kinën në Human Rights Watch.
“Trashëgimia e Bacheletit si komisionare e Lartë do të matet me gatishmërinë e saj për të mbajtur përgjegjës një shtet të fuqishëm për krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë mandatit të saj”, shtoi ajo.
Shqetësime në rritje
Shqetësimi kryesor për grupet e të drejtave të njeriut, aktivistët ujgurë dhe zyrtarët perëndimorë është se Bacheletit – zyrtarja më të lartë për të drejtat e njeriut e OKB-së, që më herët ka qenë presidente e Kilit – do t’i mohohet çfarëdo lloj qasjeje e papenguar, që është e nevojshme për zyrën e saj që të hetojë siç duhet akuzat dhe dëshmitë në rritje lidhur me shkeljet e Qeverisë kineze në Ksinjiang dhe më gjerë.
Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së (OHCHR) ka qenë në negociata me Pekinin që prej vitit 2018 për “qasje të pakufizuar dhe kuptimplotë” në Ksinjiang. Një grup prej pesë personash nga ekipi i Bachelet arriti në Kinë më 25 prill për të përgatitur vizitën e saj dhe zyra e saj tha se vizita do të përfshijë takime me përfaqësues të shoqërisë civile.
Por, ndjeshmëria e Kinës ndaj kritikave, historia e saj e hakmarrjes kundër aktivistëve, dhe aftësia e saj e mbikëqyrjes kanë ngritur dyshime se kritere të tilla do të mund të përmbusheshin.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me vizitën e paralajmëruar”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price më 20 maj. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk presin që [Qeveria kineze] do të ofrojë qasjen që kërkohet për të kryer një vlerësim të plotë, të pamanipuluar të mjedisit të të drejtave të njeriut në Ksinjiang.
Para vizitës, Radio Azia e Lirë raportoi se zyrtarët në Ksinjiang po paralajmëronin ujgurët që mos të flisnin me të huajt dhe se policia në Kashgar u dërgua në “sesione të lëndës politike” për t’u përgatitur për vizitën e delegacionit të OKB-së.
Më 23 maj, në ditën e parë të vizitës së saj, Bachelet zhvilloi takime virtuale me krerët e rreth 70 misioneve diplomatike në Kinë dhe sipas Bloombergut, zyrtarja e OKB-së gjatë këtyre takimeve synoi që të ulte pritshmëritë rreth vizitës së saj, teksa disa diplomatë shprehën “shqetësime të thella” lidhur me përpjekjet e Pekinit për të manipuluar këtë vizitë.
Zyrtarët kinezë vazhdimisht në disa raste kanë deklaruar se vizita e komisionares Bachelet nuk duhet të shndërrohet “në të ashtuquajtur hetim” dhe kanë thënë se ata do të mirëpresin vetëm “vizitë miqësore”.
OHCHR-ja pritet të publikojë raportin në të cilin ka punuar më shumë se tre vjet, që bazohet në intervista me të mbijetuarit e kampeve, konsultime me studiuesit kryesorë, teksa janë rritur dëshmitë, sikurse imazhet satelitore dhe dokumentet që kanë rrjedhur në publik, që janë të Qeverisë kineze.
Duke pritur me padurim gjetjet e raportit, qindra grupe të të drejtave të njeriut në mbarë botën për muaj të tërë i kanë bërë thirrje Bacheletit që ta publikojë këtë dokument, por ky raport ende nuk është publikuar dhe ka shqetësime se vizita e saj mund të përdoret për t'i maskuar ato gjetje.
“Është koha që OKB-ja zyrtarisht të njohë dëshmitë e guximshme dhe publike të të mbijetuarve, mijëra faqe dokumente të Qeverisë kineze të cilat janë zbuluar, kërkime të kryera nga kolegët dhe qindra imazhe satelitore të kampeve të përqendrimit”, tha Omer Kanat, drejtor i Projektit për të Drejtat e Ujgurëve, në një artikull të shkruar për The Diplomat. “Vizita nuk do të jetë gjë tjetër veçse propagandë”.
Fushata globale e Pekinit
Kina ka hedhur poshtë pretendimet për veprimet e saj në Ksinjiang duke i quajtur si gënjeshtra të motivuara politikisht. Ajo ka thënë se të ashtuquajturat “kampe të riedukimit” në Ksinjiang kanë qenë të nevojshme për të luftuar ekstremizmin në këtë rajon, të cilin e konsideron si vatër të tensioneve etnike dhe fetare.
Teksa përballet me kritika të mëdha nga ndërkombëtarët për politikat e tij – SHBA-ja dhe disa parlamente perëndimore kanë deklaruar se veprimet e Pekinit përbëjnë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit – Pekini ka kërkuar që të përdorë ndikimin e tij në rritje, politik dhe ekonomik për të shmangur kritikat dhe për të fituar mbështetjen e disa qeverive.
Pekini ka organizuar vizita në Ksinjiang me diplomatë dhe zyrtarë nga shtete që janë miqësore me politikat e Kinës, sikurse Sudani dhe Taxhikistani, të cilët kanë lavdëruar politikat kineze përmes mediave shtetërore dhe lokale.
Ky ndikim po ashtu është zgjeruar edhe në organizata ndërkombëtare sikurse OKB-ja, ku Kina ka shtyrë dhe ka tentuar që të bindë shumë shtete në zhvillim që ta mbështesin ose të abstenojnë në votime për masa që do ta censuronin Kinën, duke lënë vetëm një grup shtetesh, kryesisht perëndimore, që janë të gatshme të sfidojnë politikat kineze.
Kur Ukraina në qershor të vitit 2021 iu bashkua mbi 40 shteteve në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në thirrjet për “qasje të pakufizuar” në Ksinjiang, Radio Evropa e Lirë dhe Associated Press raportuan se Pekini kërcënoi se do të kufizonte tregtinë dhe do të ndalonte qasjen në vaksinat kundër COVID-19, dhe detyroi Kievin që të heqë emrin e tij nga ajo deklaratë.
Politikat e Kinës në Ksinjiang, po ashtu, kanë ndikuar thellësisht te fqinjët e saj, veçmas në Azinë Qendrore.
Kazakistani, për shembull, papritur u bë qendër e aktivizmit pas zgjerimit të sistemit të kampeve të Pekinit më 2017 dhe 2018 për shkak të lidhjeve familjare ndërmjet kazakëve dhe pakicës etnike kazake në Ksinjiang, pasi disa ish të burgosur publikuan dëshmitë e tyre pasi u larguan nga Kina në Kazakistan.
Ndërkaq, Taxhikistani është subjekt i një padie në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të paraqitur nga organizatat ujgure, në të cilën thuhet se Qeveria e këtij shteti të Azisë Qendrore i ka lejuar zyrtarët kinezë që të veprojnë në territorin e saj, duke dëbuar ujgurët për në Kinë dhe duke i detyruar që të bëhen informatorë.