Ndërlidhjet

Në Tiranë mbahet Parada e Krenarisë


Pamje nga paradat për përkrahje të komunitetit LGBT+ në botë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pamje nga paradat për përkrahje të komunitetit LGBT+ në botë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në Tiranë, të shtunën, u mbajt Parada e Krenarisë.

Dhjetëra pjesëtarë dhe përkrahës të komunitetit LGBT+ (homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë) marshuan me flamuj me ngjyrat e ylberit, nën përcjellje të policisë në rrugët kryesore të kryeqytetit të Shqipërisë.

Disa nga pjesëmarrësit bartën pankarta me mbishkrimin “ne jemi familje”, që ishte edhe parulla kryesore e këtij organizimi.

Kjo është parada e parë pas dy vitesh mosorganizimi për shkak të kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Homoseksualiteti është dekriminalizuar në Shqipëri në vitin 1995, por homofobia dhe diskriminimi ndaj komunitetit LGBT vazhdojnë të mbeten të theksuara.

Sipas Raportit të Progresit, të përpiluar nga Komisioni Evropian për vitin 2021, dhuna dhe diskriminimi ndaj personave LGBT+ mbeten të përhapura dhe dominuese në shoqërinë shqiptare.

“Gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese vazhdojnë të jenë probleme në media, veçanërisht mediat online, dhe nga politikanët”, thotë raporti.

Raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2021, në pjesën për Shqipërinë përmend se personat LGBT+ janë ndër klasat e mbrojtura për krimet e urrejtjes, por “pavarësisht ligjit dhe mbështetjes formale të qeverisë për të drejtat, zyrtarët publikë bëjnë deklarata homofobike”

Shqipëria nuk ka legjislacion që njeh bashkëjetesën civile dhe martesën e personave të gjinisë së njëjtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG