Ndërlidhjet

OBSH: Mund të rriten rastet e lisë së majmunëve në muajt e verës


Simptomat e lisë së majmunëve.
Simptomat e lisë së majmunëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se mund të ketë rritje të rasteve me virusin e rrallë, të ashtuquajtur lia e majmunëve, për shkak organizimit më të madh të festave në muajt e verës.

“Teksa hyjmë në periudhën e verës në rajonin evropian, me festa masive, festivale dhe ndenja të ndryshme, jam i shqetësuar se përhapja për mund të rritet ndonëse rastet e identifikuara tani janë në mesin e atyre që janë përfshirë në aktivitet seksual dhe simptomat janë të panjohura për shumë njerëz”, ka thënë drejtori i OBSH-ë për Evropën, Hans Kluge përmes një deklarate.

Më shumë se 100 raste të infeksionit viral janë konfirmuar në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Britani.

Disa raste janë identifikuar edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi.

Lia e majmunëve, më e zakonshme në perëndim dhe qendër të Afrikës, shkakton sëmurje të lehtë, të karakterizuar me temperaturë dhe gunga në trup.

I identifikuar fillimisht në majmunë, sëmundja përhapet në raste të kontaktit shumë të afërt dhe rrallë ka dalë jashtë Afrikës.

Shkencëtarët nuk presin shpërthim sikurse të koronavirusit, sepse ky virus nuk përhapet lehtë sikurse SARS-COV-2.

OBSH ka thënë se rastet e fundit janë të pazakonshme, sepse pothuajse të gjithë individët e prekur nga virusi, nuk kanë pasur histori të udhëtimit në zonat ku lia e majmunëve është endemike, por edhe për shkakun se rastet janë duke u identifikuar te burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra.

Në Britani, ku janë konfirmuar 20 raste, shërbimet shëndetësore kanë thënë se shumica e të infektuarve janë burra homoseksualë apo biseksualë.

Edhe 14 rastet e identifikuara në Portugali kanë qenë të lidhura me burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra tjerë.

Fabian Leendertz nga Instituti Robert Koch në Gjermani e ka përshkruar shpërthimi si epidemi, mirëpo ka thënë se ajo do të izolohet përmes gjurmimit të kontakteve dhe trajtimit me ilaçe.

Lia e majmunëve zakonisht raportohet në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.

Ajo konsiderohet endemi në Republikën Demokratike të Kongos, ku është identifikuar për herë të parë në njerëz më 1970.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG